
Në varrezat e lagjes Dragodan në Prishtinë, familjarë, miq dhe kolegë të shumtë i dhanë sot lamtumirën e fundit artistit të njohur shqiptar Shemsi Krasniqi. Ndarja e tij nga jeta ka lënë një boshllëk të madh në botën e muzikës shqiptare, ku ai kontribuoi për dekada me radhë me zërin dhe talentin e tij të veçantë.
Në këtë ditë të rëndë për familjen, pranë tyre u panë njerëzit më të afërt të artistit. Djali i tij priti ngushëllimet e shumta, ndërsa i pranishëm ishte edhe nipi i tij, këngëtari Kastriot Grajçevci, i cili u shfaq i prekur nga humbja e dajës, figurë që kishte luajtur një rol të rëndësishëm edhe në rrugëtimin e tij artistik.
Ceremonia mortore bëri bashkë edhe shumë emra të njohur të estradës shqiptare, të cilët kishin ndarë skenën dhe momente të shumta artistike me Shemsi Krasniqin ndër vite.
Mes tyre ishin reperi Gold AG, i njohur për respektin e tij ndaj figurave të muzikës shqiptare, si edhe këngëtarët Ganimete Abazi dhe Mahmut Ferati. Të pranishmit u panë dukshëm të prekur, teksa kujtonin me dhimbje mikun dhe kolegun e tyre të çmuar.

