AKTUALITET /

LETRA/ Dorëhiqet rektori i universitetit "Luigj Gurakuqi, Tonin Gjuraj, akuza ndaj Bordit të Administrimit për cenim të autonomisë

Në letrën drejtuar ministres së Arsimit, ai thekson se mandati i tij buron nga komuniteti universitar dhe se drejtimi i institucionit duhet të mbështetet në transparencë, përgjegjësi publike dhe respekt për autonominë akademike.

Shkruar nga Versus

LETRA/ Dorëhiqet rektori i universitetit "Luigj Gurakuqi, Tonin

Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Tonin Gjuraj, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, duke akuzuar Bordin e Administrimit për ndërhyrje që, sipas tij, cenojnë autonominë universitare dhe bien ndesh me ligjin.

Në letrën drejtuar ministres së Arsimit, ai thekson se mandati i tij buron nga komuniteti universitar dhe se drejtimi i institucionit duhet të mbështetet në transparencë, përgjegjësi publike dhe respekt për autonominë akademike.

Gjuraj kundërshton vendimin për emërimin e administratorit të universitetit, si dhe shtyrjen e moshës së pensionit për këtë pozicion, të cilat i cilëson të njëanshme dhe të paligjshme.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për procedurat e rekrutimit të stafit administrativ, duke iu referuar edhe një raporti të një grupi pune të Ministrisë së Arsimit që, sipas tij, ka konstatuar shkelje ligjore në shpalljet për punësim të miratuara nga Bordi.

Në përfundim të dorëheqjes, Gjuraj kërkon garantimin e funksionimit normal të Universitetit të Shkodrës pas largimit të tij dhe i kërkon ndjesë studentëve dhe stafit akademik për situatën e krijuar.

Letra e rektorit Tonin Gjurajt

E nderuar zj. Ministre,

Po ju drejtohem me këtë letër, për të ripohuar një parim themelor, i cili udhëheq mënyrën se si e kuptoj dhe ushtroj detyrën që më është besuar, si dhe përgjegjësinë institucionale që buron prej saj. Ky parim duhet të mbetet i qartë dhe i pandryshueshëm në çdo rrethanë, që lidhet me funksionimin dhe drejtimin e universitetit.

Detyra e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” më është besuar përmes një procesi konkurrimi dhe votimi akademik. Mandati buron nga komuniteti universitar dhe, mbi këtë bazë legjitimiteti, mbështetet drejtimi i këtij institucioni publik.

Kandidimi për këtë detyrë nuk ka qenë një hap për të përmbyllur një karrierë personale, tashmë të konsoliduar prej kohësh në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe diplomaci. Përkundrazi, pranimi i këtij funksioni lidhet me bindjen se, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” meriton një proces të mirëfilltë transformimi institucional, mbështetur në transparencë, përgjegjësi publike dhe respekt për autonominë universitare, në përputhje me rolin e rëndësishëm që ky institucion zë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Detyra e rektorit nuk është as mision personal, as një mekanizëm imponimi, por një funksion institucional, që kërkon partneritet dhe mbështetje për forcimin e cilësisë akademike, përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe afirmimin e universitetit në rolin që i takon në jetën publike dhe zhvillimin intelektual të qytetit të Shkodrës e më gjerë.  Kjo është një përgjegjësi, nderim dhe detyrim ndaj traditës së këtij institucioni dhe këtij qyteti, por, mbi të gjitha, prindërve dhe studentëve që ia besojnë këtij universiteti formimin dhe të ardhmen e tyre.

Që në fillim të ushtrimit të detyrës sime kam theksuar se, universiteti duhet të qëndrojë larg çdo ndikimi politik.  Rektori nuk përfaqëson interesa politike, por ai shërben në funksion të komunitetit akademik dhe publikut.  Në këtë kuptim, çdo mbështetje institucionale, përfshirë edhe ajo e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Shkodrës, që, në fakt, nuk kanë munguar, ka qenë dhe mbetet e mirëpritur, sa kohë që respekton këtë parim dhe kontribuon në zhvillimin e universitetit.

Në këtë frymë, kam kërkuar mbështetje për përpjekjet e nisura dhe jo krijimin e barrierave artificiale, që pengojnë një proces transformimi të domosdoshëm për universitetin dhe rolin që ai duhet të ketë në jetën e qytetit.

Kjo qasje, mesa duket, nuk gjeti mirëkuptimin e duhur dhe nëse ushtrimi i këtij funksioni shoqërohet me ndërhyrje që cenojnë autonominë institucionale, atëherë nuk po hezitoj të lë në tavolinë dorëheqjen time dhe t’i rikthehem jetës akademike si profesor.  Rektori është i përkohshëm, Bordi i Administrimit (BA) i jashtëkohshëm, por Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është dhe mbetet i përhershëm.

Vendimi i BA-së për emërimin e administratorit është, sipas meje, i papranueshëm dhe një qëndrim të tillë, siç dihet, unë e kam bërë publik.  Por, kjo thellohet më tej, kur, po ky Bord, pa bazë ligjore, në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese në raport me stafin tjetër akademik e administrativ, merr vendimin për t’i shtyrë moshën e daljes në pension.

Përveç kësaj, BA, përfshirë dhe 4 përfaqësuesit e MA në të, injoron dhe hedh poshtë me arrogancë, Raportin Final të Grupit të Punës të ngritur prej jush, pas kërkesës time, për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrative, në vitin 2025, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.  Ky Raport i jep të drejtë pretendimeve të rektorit, ku konkludon qartë se: “shpallja për punësim nga BA është e pavlefshme”.  Vendimi i BA, nr. 2015, datë 15. 07. 2025 “Për miratimin e kritereve për procedurat e rekrutimit të stafit në varësi të administratorit”, është në kundërshtim me ligjin nr. 80/2015, dhe si i tillë është nul dhe nuk duhet të sjellë pasoja juridike.

Bordi i Administrimit vijon shkeljet ligjore, duke paguar honorare projektesh në mënyrë preferenciale, pa vendime Bordi, por direkt nëpërmjet administratorit, pa filtër shkencor dhe të pacertifikuar nga drejtoria përkatëse dhe rektori, siç ka qenë dhe është praktika normale.

Sa sipër, unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej BA, kurse ata, të gjithë së bashku, kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar.

Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës.

Lutem, zj. Ministre, t’i referoheni nenit 39 të Ligjit 80/2015, pika 9, për të garantuar vijimin normal të funksionimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, pas dorëheqjes time të parevokueshme, në dobi të studentëve dhe komunitetit akademik.Versus.al

Poll