AKTUALITET /

Monopoli i frikshëm i insulinës nga 'Rejsi Farma' / Milionat që Shqipëria paguan më shumë për ilaçin e pacientëve diabetikë

Shkruar nga Versus

Monopoli i frikshëm i insulinës nga 'Rejsi Farma' / Milionat

Në vitin 2024, qeveria e Kosovës kontraktoi përmes një tenderi publik 62 mijë kuti të insulinës Novorapid për të plotësuar nevojat e pacientëve diabetikë të vendit për një periudhë dy vjeçare.

Sipas të dhënave zyrtare, çmimi total i blerjes rezultoi 1 milionë e 81 mijë euro ose më pak se 17.5 euro për kuti, e cila përmban paketim prej 5 njësish.

Monopoli i frikshëm i insulinës nga 'Rejsi Farma' / Milionat

Çmimi i insulinës në Kosovë

Por ndonëse Kosova racionalizon me skrupolozitet paratë publike që shpenzon për kurimin e popullatës, në Shqipëri shpesh edhe ajo pak mbështetje që jep buxheti i shtetit për sektorin e shëndetësisë tretet nga korrupsioni dhe abuzimet. Qeveria shqiptare të njëjtin ilaç e rimburson me 28.33 euro ose gati 11 euro për kuti më shumë se sa qeveria e Kosovës.

Ndonëse 11 euro shtesë mund të duken si një kosto e ulët në pamje të parë, llogaritë janë shumë ndryshe. Novorapid FlexPen është një nga insulinat më të përdorura për trajtimin e pacientëve diabetikë kudo në botë, ashtu dhe në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, ky produkt përdoret nga të paktën 17 mijë pacientë në Shqipëri, shumë prej të cilëve injektohen disa herë në ditë.

Vetëm në viti 2025, FSDKSH rimbursoi 150 mijë kuti Novorapid. Kostoja shtesë që Shqipëria paguan me Kosovën për këtë ilaç është mbi 1.6 milionë euro në vit dhe nëse shtrihet për shumë vite bëhet fjalë për dhjetra milionë euro, para të cilat ndahen në fitime për prodhuesin, tregtarin, por ndoshta edhe zyrtarët që rregullojnë çmimet e barnave në vend.

Lista e rimbursimit

Që nga viti 2014, Shqipëria e ka caktuar çmimin e barnave të rimbursueshme duke u bazuar tek çmimi më i ulët i tregtimit në pesë vende referente, që janë Italia, Greqia, Serbia, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut.

Ndonëse kjo metodë do të duhej të eleminonte abuzimet me çmimin e medikamenteve, shpesh metodologjia kompromentohej në praktikë, teksa për vendet referente me çmimin më të ulët mungonte gjithmonë informacioni zyrtar.

Në fillim të këtij viti qeveria vendosi të ndryshojë metodologjinë e caktimit të çmimit për barnat e rimbursueshme duke marrë si bazë çmimin mesatar të tre vendeve me çmimin më të ulët ndër pesëshen referente. Por shkarjet vazhdojnë.

Ndonëse Kosova nuk bën pjesë në listën e vendeve që Shqipëria merr për referencë për përcaktimin e çmimit të barnave, të dhënat krahasimore tregojnë se çmimi i insulinës në Shqipëri rezulton më i lartë edhe nga mesatari i tre vendeve më të lira referente. Nëse formula ligjore do të ishte zbatuar në mënyrë korrekte, çmimi i NovoRapid FlexPen në Shqipëri duhej të ishte dukshëm më i ulët.

Sipas të dhënave, aktualisht çmimi i insulinës NovoRapid në Greqi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, rezulton përkatësisht 24.16 euro, 24.26 euro dhe 24.33 euro. Mbi këtë bazë, çmimi që duhej të deklarohej për Shqipërinë vlerësohet rreth 24.25 euro, ndërsa çmimi i aplikuar vazhdon të mbetet 28.33 euro, i fiksuar në këtë nivel tashmë prej vitesh.

Monopoli i frikshëm i insulinës nga 'Rejsi Farma' / Milionat

Çmimi zyrtar në Maqedoninë e Veriut:

Kjo diferencë merr përmasa shumë të mëdha kur llogaritet mbi volumin real të shitjeve. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 5 vitet e fundit Shqipëria rezulton të ketë rimbursuar mbi 600 mijë kuti NovoRapid FlexPen, duke çuar në një mbipagesë prej 2.5 milionë eurosh vetëm në 5 vjet krahasuar me rezultatin që nxjerr formula ligjore.

Monopol absolut

Novorapid FlexPen është një medikament që prodhohet nga kompania daneze Novo Nordisk.

Në Shqipëri ky medikament tashmë gjendet në kushtet e monopolit absolut, pasi të drejtën e tregtimit në vendin tonë e ka vetëm kompania Rejsi Farma.

Çështja bëhet edhe më e ndjeshme sepse NovoRapid FlexPen nuk është një produkt i zakonshëm tregtar, por një insulinë jetike. Për vite me radhë, ky produkt është përdorur nga pacientë që shpesh kanë pasur bashkëpagesë, duke paguar një pjesë të kostos direkt nga xhepi i tyre.

Kjo do të thotë se në raste abuzimesh me çmimin, pacientët dëmtohen dy herë: së pari si konsumatorë që kanë bashkëpaguar më shumë, dhe së dyti si taksapagues që financojnë buxhetin e rimbursimit.

Në këtë çështje, dyshimet më të forta drejtohen tek mënyra se si vendosen çmimet nga autoritetet shqiptare. Analiza ngre pikëpyetje nëse çmimi i referencës është paraqitur në përputhje me ligjin, nëse janë deklaruar saktë çmimet në vendet referente dhe nëse autoritetet kanë pasur në dispozicion apo kanë shqyrtuar dokumentacionin e plotë për të miratuar çmimin real që duhej të aplikohej.

Një element që e bën çështjen edhe më të rëndë është fakti se kompania ndërkombëtare Novo Nordisk ka detyrim ligjor dhe etik të ndjekë veprimet që bëhen me barnat e saj.

Ndërkohë ka dyshime se praktika të ngjashme mund të kenë ndodhur edhe me barna të tjera jetike të kompanive ndërkombëtare si Roche, Alexion, Apotex, AstraZeneca, Atnahs Pharma Netherlands B.V., Beecham Group Plc etj.

Nëse këto dyshime konfirmohen, atëherë nuk do të kemi të bëjmë vetëm me një rast të izoluar mbi çmimin e një insuline, por me një problem potencialisht sistemik në mënyrën se si disa barna janë deklaruar, miratuar dhe tregtuar në Shqipëri.

Nga ana tjetër tregu në Shqipëri po përballet gjithmonë e më shumë me problemin e përqëndrimit dhe pozitave dominuese, jo vetëm në tregun e insulinës.

Kjo ngre pyetje serioze për dominancën në treg, mundësinë e abuzimit me pozitën dominuese dhe ndikimin që një distributor i vetëm apo një grusht kompanish mund të kenë mbi çmimet e barnave jetike./Kapital

 

 

Poll