
Qytetarë të shumtë janë mbledhur pasditen e sotme në Tiranë në një protestë kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe projekteve që, sipas tyre, rrezikojnë pasuritë natyrore të vendit.
Tubimi nisi fillimisht përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku protestuesit shprehën pakënaqësitë e tyre lidhur me zhvillimet e fundit në disa zona të mbrojtura.

Më pas, ata marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, ndërsa protesta vijoi përpara godinës së Kryeministrisë.
Me pankarta në duar dhe thirrje të shumta, qytetarët kërkuan ndalimin e projekteve që prekin mjedisin dhe hapësirat e mbrojtura. “Shqipëria e shqiptarëve”, “Shqipëria nuk shitet”, “Duam dorëheqje” dhe “Anuloni projektin” ishin disa nga sloganet që dominuan protestën.
Protestuesit mbushën sheshin përpara Kryeministrisë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet shtetërore për çdo projekt që zhvillohet në zona me rëndësi të veçantë natyrore dhe mjedisore.
Protestuesit kërkuan anulimin e projekteve që prekin mjedisin dhe zonat e mbrojtura, ligjit për investimet strategjike dhe paketen e maleve, duke bërë thirrje për dorëheqje dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.
Organizatorët theksuan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ndërsa apeluan për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe interesit publik.

