
Një ditë pas protestës së tensionuar në Zvërnec dhe pamjeve që shkaktuan reagime të forta publike, teli me gjemba i vendosur mbi rrethimin e kantierit ku po zhvillohen punimet është hequr këtë të diel.
Lëvizja vjen pas përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë private, në një ngjarje që riktheu në qendër të debatit projektin e ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Për shumë prej protestuesve, heqja e telit me gjemba shihet si shenja e dytë e një tërheqjeje përballë presionit qytetar dhe reagimit të fortë publik, pas tërheqjes që pati një ditë më parë Policia e Shtetit përballë protestës e reagimeve të palëve në vendngjarje.
Ndërkohë, zhvillimet nuk janë ndalur vetëm te kantieri. Policia ka arrestuar rojën private Gerald Biba, i cili u filmua gjatë incidentit ku një protestues u godit dhe më pas u tërhoq me forcë nga zona e protestës.
32-vjeçari akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Sipas policisë, ai ka goditur me grusht një qytetar dhe më pas, në bashkëpunim me dy persona të tjerë të proceduar penalisht, e ka tërhequr me forcë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Ngjarja ka sjellë edhe reagimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili ka dënuar jo vetëm sjelljen e rojeve private, por edhe qëndrimin e forcave të policisë të pranishme në vendngjarje.
Sipas ministrit, e papranueshme nuk ishte vetëm dhuna e ushtruar ndaj protestuesit, por edhe indiferenca e pajustifikueshme e efektivëve që ndodheshin aty dhe nuk ndërhynë për të parandaluar incidentin.
Pamjet e protestuesit që tërhiqej zvarrë mes turmës kanë shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik dhe kanë shtuar presionin ndaj institucioneve për të hetuar përgjegjësit dhe për të garantuar respektimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar.
Ndërsa protestuesit kërkojnë anulimin e projektit dhe transparencë mbi çështjet e pronësisë në zonë, heqja e telit me gjemba dhe arrestimi i rojës private po interpretohen si pasojat e para konkrete të reagimit qytetar që shpërtheu në Zvërnec.

