Në prag të finales së UEFA Champions League në Budapest, UEFA dhe Alibaba Group prezantuan zyrtarisht kapitullin e ri të partneritetit të tyre strategjik, me fokus te mënyra se si teknologjia po transformon përvojën e tifozëve në futboll.
Në eventin që mblodhi figura të njohura të sportit, teknologjisë dhe biznesit global, morën pjesë Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, bashkëthemeluesi dhe Chairman i Alibaba Group, Joe Tsai, ish-sulmuesi i Anglisë Michael Owen, CFO e Alibaba Group Toby Xu, si dhe drejtues të lartë të UEFA-s dhe kompanive ndërkombëtare.
Në qendër të prezantimit ishin risitë që do të sjellë bashkëpunimi mes dy gjigantëve, duke përfshirë inteligjencën artificiale, cloud computing dhe teknologjitë e avancuara të transmetimit.

Synimi është t’u ofrohet tifozëve një eksperiencë më interaktive dhe më e personalizuar, përmes pamjeve 360 gradë, këndeve të zgjedhura sipas preferencës së shikuesit, analizave të avancuara të mbështetura nga AI dhe zgjidhjeve të reja digjitale që e afrojnë publikun me lojën si kurrë më parë.
Moderimin e ceremonisë e realizoi prezantuesja shqiptare Eva Murati, e cila udhëhoqi eventin në anglisht përpara një audience të përbërë nga liderë të industrisë së sportit, teknologjisë dhe medias ndërkombëtare.
Prania e saj në një nga eventet më prestigjioze që paraprin finalen e Champions League konfirmon edhe një herë profilin e saj në rritje në skenën ndërkombëtare të sportit dhe medias.
.

