Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI-t e cila prej dy ditësh është nën arrest shtëpie me kërkesë të SPAK-ut, është paraqitur sot në GJKKO për konfirmimin e masës së sigurisë.
Ajo ka mbërritur me makinë policie dhe është drejtuar për në GJKKO ku mbahet seanca për konfirmimin e masave ndaj saj, zëvendëses Hava Delibashi, zëvendës drejtorit të policisë Tiranë, Erion Ismaili dhe 5 biznesmenëve, mes të cilëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri të cilët ndodhen në arrati.
Karçanaj akuzohet për kryerjen e disa veprave penale si: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Dyshohet se abuzimi i saj dhe i zëvendëses së saj lidhet me 12 procedura tenderimi të AKSHI-t. të përfshirë në këtë skemë janë edhe biznesmenët e shpallur në kërkim Ergys Agasi e Ermal Beqiraj të cilët në bashkëpunim me zëvendës drejtorin e policisë Tiranë, Erion Ismaili kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe duke e detyruar të tërhiqej nga gara për tenderat e AKSHI-t. Versus.al



