
Protesta e Zvërnecit ka hyrë në ditën e katërt, ndërsa çdo ditë po shënon pjesëmarrje gjithnjë e më të gjerë të qytetarëve.
Përveç numrit të lartë të pjesëmarrësve, vëmendjen e opinionit publik e kanë tërhequr edhe parullat kreative dhe mesazhet ironike të mbajtura nga protestuesit.
Me tone satirike dhe thënie të njohura patriotike nga Rilindasit, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vendimmarrjeve politike që ata thonë se bien ndesh me interesin publik.
Ndër parullat më pikante që po bëjnë xhiron në rrjetet sociale janë:
“Djalin që tradhton atdheun, nuk e do as nëna e vet”, një citim nga Naim Frashëri si dhe mesazhe të tjera si “Më mirë kripore me flamingo apo pishina me klor”, “Deti nuk ka nevojë për gardhe” dhe “Lakmia nuk është zhvillim”.
Një tjetër parullë që ka tërhequr vëmendje ishte: “Me demek copë oratori, të ka ik shteti nga kontrolli. Mirë që ke përzënë gjithë rininë, por tani kërkon të shesësh edhe Shqipërinë”, ndërsa një mesazh tjetër përmblidhte kritikat ndaj qeverisjes me fjalët: “Me tri fjalë përmblidhet vepra e tyre: Përçarje, tradhti, shitje. Shqipëria e shqiptarëve”.
Fotot dhe videot e protestës po shpërndahen gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kanë shprehur mbështetjen e tyre për kauzën e protestuesve.
Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke kërkuar transparencë dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të zonës së Zvërnecit.
Parullat pikante
“Djalin që tradhëton atdheun, nuk e do as nëna e vet”-Naim Frashëri
“Më mirë kripore me Flamingo apo pishina me klor”
“Me demek copë oratori, të ka ik shteti nga kontrolli. Mirë që ke përzënë gjithë rininë, por tani kërkon të shesësh edhe Shqipërinë”. Versus.al

