
Qytetarët që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë më 27 korrik do të përballen me kufizime në pikat e kalimit kufitar, për shkak të një greve të paralajmëruar nga punonjësit e doganës greke.
Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit, i cili njofton se është informuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se greva do të zhvillohet gjatë orëve të paradites, duke sjellë pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së automjeteve në katër pika kufitare.
Sipas njoftimit, lëvizja e automjeteve do të ndërpritet:
në PKK Kakavijë dhe Tre Urat (Përmet), nga ora 07:00 deri në 11:00 (me orën shqiptare);
në PKK Kapshticë (Korçë) dhe Qafë Botë (Sarandë), nga ora 05:00 deri në 09:00 (me orën shqiptare).
Policia Kufitare e Janinës ka bërë me dije se gjatë intervalit të grevës do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe automjetet e emergjencës shëndetësore.
Për të shmangur radhët dhe grumbullimet në pikat kufitare, Policia Kufitare u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë, të shtyjnë udhëtimin deri në përfundim të orarit të grevës.
Autoritetet shqiptare njoftojnë se do të vijojnë të informojnë qytetarët për çdo zhvillim që lidhet me funksionimin e pikave të kalimit kufitar./Versus.al

