
Pas kundërshtive të banorëve të Prrenjasit për Reformën Territoriale, një tjetër bashki ka shprehur pakënaqësi që lidhen me ndryshimet e pritshme të propozuara nga mazhoranca.
Mirdita refuzon shkrirjen e bashkisë, në mënyrë kategorike, duke paralajmëruar reagim të fortë qytetar.
Kryebashkiaku Albert Mëlyshi i ka cilësuar diskutimet për një shkrirje të mundshme të Bashkisë Mirditë si një “shashkë” të hedhur për të krijuar pasiguri dhe stres te banorët, ndërsa theksoi se bashkia nuk duhet të vihet në diskutim.
“Nuk ka një konfirmim që Bashkia Mirditë do të shkrihet. As nuk vihet në diskutim. U hodh një shashkë për të vendosur mirditorët në një stres, në një problematikë që nuk mund të ndodhte”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku kritikoi edhe mënyrën se si janë zhvilluar dëgjesat publike për reformën territoriale, duke thënë se ato nuk kanë qenë diskutime të mirëfillta me qytetarët, por takime ku kanë marrë pjesë kryesisht përfaqësues politikë.
Duke folur për situatën financiare të bashkisë, Mëlyshi pranoi se ka vështirësi, por sipas tij ato lidhen me mungesën e autonomisë financiare dhe me faktin që një pjesë e të ardhurave të krijuara në territor administrohen nga pushteti qendror.
“Nëse bashkive u merren pjesa më e madhe e të ardhurave dhe nuk u rikthehen në burim, atëherë ato normalisht do të kenë probleme financiare”, tha Mëlyshi.
Ai kërkoi që pushteti vendor të ketë më shumë kompetenca në administrimin e të ardhurave, duke përmendur rentat minerare dhe taksat që mblidhen në territorin e bashkive.
Mëlyshi paralajmëroi se nëse do të ndërmerrej një proces për shkrirjen e Bashkisë Mirditë, kjo do të shoqërohej me protesta nga banorët.
Deklaratat e tij vijnë pas reagimeve të ngjashme nga Bashkia Prrenjas, ku është kundërshtuar gjithashtu çdo ndryshim i mundshëm në ndarjen territoriale të vendit.
“Nëse do shkojë ndërmend, do krijonte jo pakënaqësi, se është term i vogël, por do krijonte rrëmujë të jashtëzakonshme, jo vetëm për Mirditën, por shumë më gjerë. Jo vetëm protestë, aty ka një revoltë vetëm pse është vënë në diskutim. Vetëm nga një tymnajë e krijuar para disa ditësh, ka krijuar revoltë të jashtëzakonshme”./Versus.al

