POLITIKË /

Ish-ministri socialist rikonfirmon se do të garojë në zgjedhjet vendore 2027 si kandidat i pavarur në Vlorë

Ish-ministri socialist ka renditur edhe arsyet pse, sipas tij, një kandidim i pavarur përfaqëson një avantazh

Shkruar nga Versus

Ish-ministri socialist rikonfirmon se do të garojë në zgjedhjet

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka konfirmuar se do të kandidojë si i pavarur për postin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet lokale të vitit 2027.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Malaj ka bërë të ditur se vendimi i tij vjen pas interesimit dhe pyetjeve të shumta nga qytetarët vlonjatë, duke theksuar se gara do të zhvillohet jashtë strukturave partiake.

“Po! Unë do të kandidoj në 2027 si i pavarur për kryetar i Bashkisë Vlorë”, shkruan Malaj.

Ish-ministri socialist ka renditur edhe arsyet pse, sipas tij, një kandidim i pavarur përfaqëson një avantazh. Ai deklaron se nuk do të ketë detyrime ndaj partive politike apo grupeve të interesit dhe se vendimet do të bazohen vetëm te interesat e banorëve të Vlorës.

Malaj është shprehur se kandidimi i tij synon të sjellë një alternativë jashtë përplasjeve tradicionale politike, duke u fokusuar te problemet konkrete të qytetit, si turizmi, infrastruktura, pronat dhe shërbimet publike.

Ai ka deklaruar gjithashtu se fushata e tij do të shmangë gjuhën agresive politike dhe se do të mbështetet te komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.

Në postimin e tij, Malaj ka kritikuar ndikimin politik në administratën vendore dhe ka premtuar se, në rast zgjedhjeje, do të ndërtojë një administratë të bazuar në meritokraci dhe transparencë.

“Kapitali ynë më i madh është liria dhe morali”, shkruan Malaj në fund të mesazhit të tij.

Arben Malaj, ish-deputet dhe ish-ministër i Financave në qeveritë socialiste, tashmë synon të hyjë në garën për drejtimin e Bashkisë së Vlorës si kandidat jashtë partive politike./Versus.al

Poll