
Në Gjykatën Administrative do të zhvillohet sot në orën 14:00 seanca e radhës për padinë e paraqitur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon anulimin e dekretit që e emëroi Ols Dado prokuror.
Seanca vjen pas asaj të zhvilluar më 8 maj, e cila nuk u transmetua drejtpërdrejt, pavarësisht kërkesës së përsëritur të Veliajt për një proces publik. Kërkesa u rrëzua nga gjykata, duke bërë që shqyrtimi të vijojë pa transmetim “live”.
Gjatë seancave të mëparshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbështetur qëndrimin e mbrojtjes së Dados, duke kërkuar moslegjitimimin e paditësit. Veliaj e ka kundërshtuar këtë qëndrim, ndërsa ka kërkuar që gjykata të shqyrtojë prapësimet dhe argumentet e paraqitura nga KLP.
Sipas kryebashkiakut, çështja lidhet me ligjshmërinë e emërimit të prokurorit dhe ka rëndësi të veçantë për funksionimin e institucioneve. Nga ana tjetër, ai dhe mbrojtja e tij kanë ngritur pretendime për një koordinim institucional në mbështetje të Dados.
Seanca e sotme pritet të jetë një tjetër etapë e rëndësishme në procesin gjyqësor që ka tërhequr vëmendje të gjerë publike dhe institucionale.

