AKTUALITET /

"Perandoria" e fshehur e Pashk Rrapit: Mori leje ndërtimi për 3 kulla përmes ekonomistes dhe krushkut! Si vazhdon të lulëzojë pas goditjes së SPAK

Në lojë hyn edhe një tjetër i afërt i Pashk Rrapit: Viktor Kola, krushku i tij. Edhe ai themelon një kompani të ngjashme me “Hein Invest”, me emrin “Midha shpk”, gjithashtu pa bilance, pa kapital real, dhe pa aktivitet të dukshëm.

Shkruar nga Versus

"Perandoria" e fshehur e Pashk Rrapit: Mori leje ndërtimi

Në qershor të vitit 2022, SPAK ndërmori një aksion të bujshëm ndaj Pashk Rrapit, i njohur edhe si Pashuk Gjini apo Anton Gjinaj, një nga emrat më të njohur të trafikut ndërkombëtar të drogës. U sekuestrua një rrjet i tërë pasurish që dyshohej se ishin ndërtuar me të ardhurat e trafikut, përfshirë kompaninë “Alesio 2014”, prona, makina dhe llogari bankare.

Megjithatë, tri vite më pas, një investigim i mediave tregon se kjo goditje ka qenë vetëm një “flluskë”. Rrapi dhe rrjeti i tij duket se kanë rifilluar aktivitetin përmes personave të afërt, ekonomikisht dhe familjarisht, duke shmangur ligjin në mënyrë të sofistikuar.

Rikthimi i rrjetit: Me të njëjtët njerëz, por emra të rinj

Vetëm katër muaj pas sekuestrimit të “Alesio 2014”, në tetor 2022, ekonomistja e kompanisë, Arjola Hysa, regjistron në QKB një firmë të re: “Hein Invest shpk”, me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh. Kompania nuk dorëzon asnjë bilanc për 3 vite me radhë, nuk ka punonjës, dhe nuk ushtron veprimtari reale.

Por çuditërisht, kjo firmë "fantazmë" arrin të përfitojë dy leje ndërtimi madhore:

Nëntor 2024: Leje për ndërtimin e tre kullave në Sheshin Shqiponja (23, 25 dhe 27 kate).
Janar 2025: Leje për një tjetër kompleks rezidencial me tre kulla të tjera (24, 26 dhe 28 kate).
Lejet janë miratuar nga një agjenci shtetërore e drejtuar nga Adelajda Roka, motra e të cilës ka vëllezër të përfshirë në hetime të tjera të SPAK-ut për trafik droge.

Një tjetër "krushk ndërtues"
Në lojë hyn edhe një tjetër i afërt i Pashk Rrapit: Viktor Kola, krushku i tij. Edhe ai themelon një kompani të ngjashme me “Hein Invest”, me emrin “Midha shpk”, gjithashtu pa bilance, pa kapital real, dhe pa aktivitet të dukshëm. Më 26 mars 2025, kjo kompani merr leje për ndërtimin e një kulle tjetër në Tiranë: “Guri Tower”.

Ligjërisht “të pastër”, praktikisht një skemë riciklimi
Ligjërisht, SPAK ka sekuestruar vetëm pasuritë në emër të vetë Pashk Rrapit. Por nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që ndalon persona të afërt të krijojnë biznese të reja. Kështu, përmes ekonomistes dhe krushkut, Rrapi duket se ka rifilluar aktivitetin financiar në ndërtim, duke ricikluar kapitalin e paligjshëm.

Pyetja e madhe: Nga vijnë paratë?
Këto kompani nuk kanë dorëzuar bilance, nuk kanë punonjës dhe nuk kanë kredenciale financiare për të marrë hua bankare. E vetmja përgjigje logjike është: paratë e trafikut të drogës po riciklohen përmes këtyre subjekteve. /Versus.al

Tags:

spak

Poll