
Mbas një procesi që zgjati disa orë, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën e përgjithshme të AKSHI-t, Mirlinda Karaçanaj, e dyshuar për shkeljen e barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim nga grupi i strukturuar kriminal.
SPAK la të njëjtën masë sigurie edhe ndaj zëvendësdrejtoreshës Hava Delibashi.
Për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismailaj, gjykata zbuti qëndrimin duke i hequr masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit, por duke i lënë atë të pezullimit nga detyra. Ndaj tre biznesmenëve u lanë në fuqi masat e sigurisë, të cilët akuzohen për pastrim të parave.
Prokurori i Posaçëm Bledar Maksuti shpjegoi se ka zbuluar një grup kriminal që vepronte si i tillë, për të paracaktuar fituesin e tenderave të AKSHI-t, mes të tjerash morën dëshminë e biznesmenit Gerond Meçe i cili dyshohet se për shkak të konkurrencës, u mor peng nga persona që kishin veshur jelekë me logo false të BKH-së dhe që, me një makinë me logo policie, e kanë kanosur që të mos ankohej për çrregullsitë në përzgjedhjen e fituesve në garë.
Prokurori Bledar Maksuti përmend në hetime se të dyshuarit, gjatë tenderave, u kanë kërkuar palëve të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Njoftimi i SPAK
1.Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë
17.12.2025, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për marrjen në pyetje dhe verifikimin
e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit, për personat nën
hetim Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erjon Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha
dhe Rogers Rryta.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me datë
18.12.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personale shtrënguese “Arrest në
shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetases nën hetim
Mirlinda Karçanaj.
2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personale shtrënguese “Arrest në
shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetases nën hetim Hava
Delibashi.
3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personale ndaluese “Pezullim i
ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i
K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Erjon Ismaili.
4. Revokimin e masës së sigurimit personale shtrënguese “Ndalim i daljes jashtë
shtetit”, e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Erjon
Ismaili.
5. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personale shtrënguese “Ndalim i
daljes jashtë shtetit”, e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën
hetim Andis Papa.
6. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personale shtrënguese “Ndalim i
daljes jashtë shtetit”, e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën
hetim Gëzim Hoxha.
7. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personale shtrënguese “Ndalim i
daljes jashtë shtetit”, e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën
hetim Rogers Rryta. /Versus.al

