
Një person u plagos me armë zjarri mesditën e sotme në Pogradec ku dyshohet se shkak ka qenë hakmarrja.
Bëhet fjalë për konflikt të vjetër që autori Nikolla Agolli ka patur me vëllain e të lënduarit Brian Syzo, 35 vjeç.

Raportohet se, pas ngjarjes Agolli dhe personi që e shoqëronte kanë braktisur automjetin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas janë larguar me një fugon, në përpjekje për t'i shpëtuar policisë.

I lënduari Brian Syzo është nisur drejt spitalit të Traumës me helikopter për një mjekim më të specializuar pasi plumbi e ka kapur në një prej venave kryesore.

Syzo njihet si person me precedentë penalë, por shkak i ngjarjes dyshohet të jetë hakmarrja, pasi vëllai i Syzos dyshohet se ka plagosur Nikollën vitin e kaluar.
Policia aktualisht po kërkon për armën e krimit të përdorur nga Agolli, që dyshohet se e ka hedhur në liqenin e Pogradecit.

Nikolla Agolli u plagos vitin e kaluar nga Sindi Syzo, vëllai i Brianit, në një berberhane. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të Pogradecit, në janar të 2025.
Njoftimi i Policisë për arrestimin:
“Plagosi me armë zjarri një 35-vjeçar në Pogradec dhe u largua, kapet në Përrenjas pas disa minutash ndjekjeje nga Policia.
Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi N. A., 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin B. S., rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Përrenjas, kapën dhe po shoqërojnë në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar të ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”.Versus.al

