
Një konflikt i çastit ka përfunduar me plagosjen e një personi pasditen e sotme në zonën e Shkallnurit, në Durrës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në ambientet e një lokali në Lagjen 13, ku një person ka qëlluar me thikë një tjetër gjatë një përplasjeje mes tyre.
I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të konfliktit.
Autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, ende nuk dihen identitetet e personave të përfshirë në konflikt./Versus.al

