AKTUALITET /

Në arrati prej disa vitesh, Kushtetuesja rrëzon vendimin e Gjykatës së Lartë për ish-shefin e antidrogës së Fierit Dritan Zagani

Zagani ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”

Shkruar nga Versus

Në arrati prej disa vitesh, Kushtetuesja rrëzon vendimin e

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Lartë për ish-shefin e Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, Dritan Zagani, duke urdhëruar rikthimin e çështjes për rigjykim.

Vendimi është marrë më 21 korrik 2026 dhe i është komunikuar mbrojtjes së Zaganit. Avokati i tij, Dorian Matlija, deklaroi se ky vendim përbën një kthesë të rëndësishme në procesin penal ndaj ish-oficerit të policisë.

Zagani ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Ai akuzohej se kishte shkelur detyrën gjatë kohës që drejtonte Seksionin e Narkotikëve në Policinë e Fierit.

Sipas mbrojtjes, gjatë procesit nuk u provua që Zagani të kishte përfituar nga detyra apo të kishte favorizuar persona të përfshirë në trafik droge. Avokati argumenton se episodet për të cilat ai u dënua lidhen me operacione policore që sollën rezultate konkrete, përfshirë sekuestrimin e 109 kilogramëve kanabis dhe arrestimin në Itali të një personi me 6 kilogramë kokainë.

Çështja e Zaganit është bërë e njohur edhe për shkak të denoncimeve të tij ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për lidhje të dyshuara me grupin Habilaj dhe për pretendime mbi dekonspirimin e operacioneve policore.

Pas këtyre denoncimeve, Zagani u largua nga Shqipëria dhe prej vitesh ndodhet jashtë vendit.

Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se çështja duhet të rishqyrtohet, ndërsa dosja do t’i rikthehet Gjykatës së Lartë për një vlerësim të ri./Versus.al

Poll