
Një argjendar në Lezhë është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se tregtonte bizhuteri floriri dhe ora të markave luksoze me origjinë të dyshuar të paligjshme.
Operacioni i koduar “Final O’clock” është finalizuar nga Policia e Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.
Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë. Sipas policisë, ai dyshohet se siguronte dhe shiste në argjendarinë e tij sende me vlerë, për të cilat nuk kishte dokumentacion që provonte origjinën e tyre.
Gjatë kontrollit në subjektin e tij, uniformat blu sekuestruan 133 ora dore të markave luksoze, bizhuteri floriri me peshë rreth 3.3 kilogramë, si dhe shuma parash prej 270 500 lekësh dhe 2 700 eurosh.
Sipas hetimeve paraprake, orët dhe bizhuteritë dyshohet se mund të kenë qenë të vjedhura jashtë shtetit dhe të kontrabanduara më pas në Shqipëri. Vlera totale e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 300 mijë euro.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme./Versus.al

