
Avokatët e Dionis Teqjas kanë reaguar pas lajmeve që e lidhën emrin e biznesmenit me një kërkim penal.
Përmes një komunikimi zyrtar, avokati i tij, Erind Troka, sqaron se Gjykata ka proceduar vetëm me njoftim përmes shpalljes në kuadër të një çështjeje civile me Nr. 1234, datë 10.12.2025, dhe se nuk ka asnjë lidhje me ndonjë hetim penal.
Troka thekson se Dionis Teqja, drejtues i disa kompanive të mëdha, ka marrë dijeni për seancën gjyqësore të planifikuar më 13 shkurt 2026, duke përjashtuar çdo interpretim të gabuar.
Avokati paralajmëron masa ligjore ndaj çdo individi ose platforme që përpiqet të shpërndajë keqinformacione, duke dëmtuar reputacionin e klientit.
“Bëhet fjalë për çështjen civile me Nr. 1234, datë 10.12.2025, e cila ndjek rrjedhën normale procedurale të gjykimit. Avokati Troka thekson se z. Dionis Teqja është drejtues i disa kompanive të mëdha në vend dhe se kjo procedurë është thjesht një formalitet ligjor, pa asnjë lidhje me shpallje në kërkim apo çështje penale.
Gjithashtu, përfaqësimi ligjor ka informuar zyrtarisht Gjykatën se z. Dionis Teqja ka marrë dijeni për seancën gjyqësore të planifikuar për datën 13.02.2026, ora 13:00, çka përjashton çdo interpretim dashakeq apo spekulativ mbi mungesë komunikimi apo fshehje.
Sipas avokatit Troka, çdo përpjekje për të paraqitur këtë procedurë të zakonshme si një çështje kërkimi apo penaliteti përbën keqinformim serioz të opinionit publik dhe cenim të rëndë të figurës dhe reputacionit të z. Dionis Teqja.
Për këtë arsye, përfaqësimi ligjor njofton se po ndjek hapat e mëtejshëm ligjorë ndaj çdo subjekti apo platforme që përdor këtë çështje për qëllime të tjera, të ndryshme nga informimi i drejtë i publikut, duke shtrembëruar faktet dhe duke dëmtuar imazhin e klientit të tij” – thuhet në njoftim./ Versus.al


