AKTUALITET /

Protesta para Kuvendit, gazetarja shoqërohet në polici, lirohet pas dy orësh

Lajmi është bërë i ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili reagoi pas shoqërimit të gazetares, duke e cilësuar situatën si një ndërhyrje serioze në lirinë e medias.

Shkruar nga Versus

Protesta para Kuvendit, gazetarja shoqërohet në polici, lirohet pas dy

Gazetarja e Citizens.al, Vjolanda Peca, është liruar pasditen e sotme nga ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, ku ishte shoqëruar pak orë më parë.

Lajmi është bërë i ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili reagoi pas shoqërimit të gazetares, duke e cilësuar situatën si një ndërhyrje serioze në lirinë e medias.

Në reagimin e saj, AGSH shprehu shqetësim për shoqërimin e Pecës gjatë ushtrimit të detyrës dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit që raste të tilla të mos përsëriten.

“Shoqërimi i një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës përbën një ndërhyrje serioze në lirinë e medias dhe krijon një precedent të papranueshëm për raportimin e ngjarjeve me interes publik”, thuhet në reagimin e AGSH-së.

Sipas këtij asociacioni, gazetarja është mbajtur për më shumë se dy orë në ambientet e komisariatit dhe shoqërimi është kryer kundër vullnetit të saj.

“Mbajtja për më shumë se dy orë e gazetares në kushte të privimit të lirisë është e papranueshme dhe një shkelje e rëndë e lirisë së ushtrimit të profesionit që nuk duhet të përsëritet”, deklaroi AGSH.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me arsyet e shoqërimit të gazetares./Versus.al

Poll