
Tensione janë shënuar pas përfundimit të seancës plenare, ku disa protestues kanë goditur me vezë automjetin e një prej përfaqësuesve të mazhorancës.
Sipas informacioneve paraprake, protestuesit kanë pikasur makinën teksa po largohej nga ambientet pranë Kuvendit dhe kanë nisur ta qëllojnë me vezë. Një prej tyre ka tentuar edhe të hapë derën e automjetit.
Situata ka sjellë ndërhyrjen e policisë, ku një prej efektivëve ka ndjekur një nga personat që po godiste makinën. Në këtë moment, protestues të tjerë kanë ndërhyrë duke u afruar për ta mbrojtur atë, duke krijuar për disa çaste përplasje dhe tension.
Forca të shumta policie kanë ndërhyrë më pas për të qetësuar situatën dhe për të larguar protestuesit nga zona.
Policia ka shoqëruar të paktën dy persona, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në goditjen e automjetit të deputetit të mazhorancës.
Incidenti pasoi një seancë plenare të tensionuar, ku përplasjet politike mes mazhorancës dhe opozitës u shoqëruan me debate të forta edhe brenda sallës së Kuvendit./Versus.al
View this post on Instagram

