
Ish-këshilltarët e shkarkuar të PD në këshillin bashkiak të Durrësit, Dritan Burgija, Arlind Boshku dhe disa krerë grup seksioni kanë shkuar sot në selinë blu për t’u ballafaquar me drejtuesit e partisë.
Burgija i cili ishte edhe kreu i grupit të këshilltarëve tha se akuzat e Berishës ndaj tyre se kanë punuar për PS tashmë janë çështje dinjiteti, jo thjesht pozicionesh.
“Sot jam këtu përpara jush për të marrë shpjegime. Nuk është çështje pozicionesh, por dinjiteti. Kam kërkuar ballafaqim me lidershipin këtu dhe fakte e prova për ato që çuan në vendimin e shkarkimit tim. Jemi këtu të gjithë bashkë, me insistimin e këtyre demokratëve dhe kërkojmë të bëjmë një ballafaqim me zotin Berisha. Pasi jemi rënduar shumë me akuzat, janë akuza shumë të rënda për mua dhe kolegun tim. Është gënjeshtër shumë e madhe të thuhet se punojmë me PS”- u shpreh Burgija.
Sipas tyre përjashtimi ka ardhur për shkak se ata kanë mbështetur takimet që ka zhvilluar Ervin Salianji në Durrës. Versus.al

