AKTUALITET /

Raiffeisen shndërron në “telenovelë” të rëndomtë gjobën 6 mijë euro për ndërtim pa leje: “Objekti na siguron të dhënat e klientëve”

Sipas denoncimeve, banka ka bllokuar një pjesë të konsiderueshme të shesh-pushimit të përbashkët të pallatit me një ngrehinë, në të cilën gjenden pajisje teknike të saj, si gjeneratorë, depozita uji, etj.

Shkruar nga Versus

Raiffeisen shndërron  në “telenovelë” të

“Raiffeisen Bank” (RFB) po shndërron në telenovelë të rëndomtë një përplasje ligjore me Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës (IMT).

Banka refuzon pagesën e një gjobë 6 mijë euro dhe prishjen e një ngrehine pa leje në qendër të Tiranës, megjithëse nuk ka siguruar asnjë dokumentacion për rregullsinë e saj

Në Tetor të vitit të kaluar, IMT mori një denoncim nga rezidentët e një pallati shumë pranë qendrës së Tiranës, ku gjendet edhe selia qendrore e Bankës “Raiffeisen”.

Sipas denoncimeve, banka ka bllokuar një pjesë të konsiderueshme të shesh-pushimit të përbashkët të pallatit me një ngrehinë, në të cilën gjenden pajisje teknike të saj, si gjeneratorë, depozita uji, etj.

Inspektorët ndërtimorë verifikuan situatën dhe arritën në konkluzionin se “Raiffeisen” ka bllokuar hapësirën.

Në vijim, ata nënshkruan proces-verbalin e datës 29 Tetor 2025, në të cilin u vendos prishja e objektit të paligjshëm dhe gjobitja me 593 mijë lekë të reja (rreth 6 mijë euro).

“Raiffeisen” e kundërshtoi vendimmarrjen e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Tiranë pranë Gjykatës Administrative të shkallës së parë të kryeqytetit, me një padi të regjistruar në datë 7 nëntor 20225.

Raiffeisen shndërron  në “telenovelë” të
Në foto: Vendimi i Gjykatës për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit (shkurt 2026)

Ndërkohë që kjo padi priste shqyrtimin, IMT, në shkurt 2026, iu drejtua Gjykatës Administrative me kërkesë për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit. Legjislacioni në fuqi parashikon se masa administrative gjobë duhet paguar, edhe në rast se i gjobituri e ka ankimuar atë në gjykatë.

Bazuar në këtë përcaktim ligjor, Gjykata Administrative lëshoi urdhërin e ekzekutimit, pra detyronte bankën “Raiffeisen” që të paguante gjobën, me një vendim të datës 5 shkurt.

Të dhënat zyrtare të siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se, të paktën deri në fund të marsit 2026, një ndër bankat kryesore në vend, vijon betejën ligjore për të shmangur prishjen e ndërtimit pa leje, për të cilin nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë ende se ka dokumentacionin e rregullt.

Këto informacione gjenden në vendimin e gjykatës Administrative të Tiranës, datë 24 mars 2026, në të cilën është rrëzuar padia e “Raiffeisen Bank”, dhe në të cilin është legjitimuar vendimi i IMT-së, si për prishjen e ndërtimit pa leje, ashtu edhe gjoba rreth 6 mijë euro.

Raiffeisen: Nuk kemi dokumentat

“Raiffeisen Bank” ka pretenduar para gjykatës se godina e konstatuar pa leje nga inspektorët ndërtimorë, ka qenë aty prej vitesh, madje që para se institucioni bankar të blinte paraardhësen e saj, Bankën e Kursimeve, në vitin 2004.

Përfaqësuesit ligjorë të Bankës kanë deklaruar në gjykatë se, “për shkak të kalimit të një periudhe mbi 24-vjeçare, pavarësisht kërkimeve në arkivat e trashëguara nga ish- Banka e Kursimeve, nuk është bërë e mundur sigurimi i dokumentacionit të plotë tekniko-ligjor që vërteton të drejtën e përdorimit të kësaj hapësire”, duke theksuar se një dokumentacion i tillë “ka ekzistuar në momentin e ndërtimit dhe funksionimit të objektit, por është humbur ose nuk është administruar në mënyrë të plotë gjatë procesit të transformimeve institucionale”.

Gjithashtu, RFBank ka kundërshtuar vendimmarrjen e IMT-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj dhe në prova, e duke argumentuar se “institucioni nuk kryer verifikime të plota mbi historikun e objektit, nuk ka identifikuar subjektin real që ka kryer ndërtimin në vitet 2001–2002 dhe nuk ka marrë në konsideratë faktin se ndërtimi nuk është kryer nga Raiffeisen sh.a., e cila e ka gjetur objektin në gjendjen ekzistuese dhe nuk ka kryer ndërhyrje ndërtimore në të”.

Banka: Godina, me rëndësi për të dhënat

Në vijim, përfaqësuesit e “Raiffeisen” kanë deklaruar se në godinën objekt shqyrtimi gjyqësor janë instaluar pajisje të rëndësishme për aktivitetin e saj.

“Në këtë hapësirë, që nga periudha e ndërtimit të godinës, janë instaluar pajisje teknike të domosdoshme për funksionimin e infrastrukturës së bankës, përfshirë gjeneratorë rezervë dhe sisteme HVAC, të cilat garantojnë funksionimin e pandërprerë të Datacenter-it (baza e të dhënave) dhe ambienteve qendrore”, deklaruan para gjykatës përfaqësuesit ligjor të Bankës.

Raiffeisen shndërron  në “telenovelë” të
Në foto: Pjesë nga argumentat e paraqitura nga “Raiffeisen Bank” në gjykatë

Sipas tyre, të gjithë këto pajisje “janë klasifikuar si infrastrukturë kritike për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave bankare. Gjithashtu, janë të instaluara pajisje qendrore të kondicionimit dhe ventilimit, të cilat sigurojnë temperaturat dhe kushtet teknike të domosdoshme për funksionimin e sistemeve informatike dhe pajisjeve elektronike të bankës”.

IMT: Banka nuk ka dokumentacion

Përtej rëndësisë së pajisjeve të instaluara në këtë godinë, fakti mbetet që ajo është ndërtim pa leje. Këtë version mbështetën para gjykatës përfaqësuesit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

Sipas IMT-së, Banka “Raiffeisen” nuk ka paraqitur brenda afateve ligjore “asnjë dokumentacion tekniko-ligjor që të justifikojë punimet e konstatuara”. Në këto kushte, IMT vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për konstatimin e kundërvajtjes dhe marrjen e masave administrative përkatëse.

Në akt-konstatimin e IMT-së është argumentuar se “punimet e konstatuara përbëjnë ndërhyrje ndërtimore që krijojnë sipërfaqe dhe volum të ri të shfrytëzueshëm për qëllime të pacaktuara,dhe për rrjedhojë klasifikohen si punime që kërkojnë detyrimisht pajisjen me leje ndërtimi”.

Gjykata “rrëzon” Bankën

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë, pasi dëgjoi palët, vendosi që të rrëzojë padinë e “Raiffeisen Bank”.

Në vendimin e datës 24 mars 2026, të lexuar nga “Boldnews.al”, thuhet se “gjatë inspektimit të kryer nga inspektorët e IMT, Bashkia Tiranë, më datë 20.10.2025 pranë subjektit paditës Raiffeisen Bank” sha, është konstatuar një ndërtim pa leje, konkretisht një shtesë me sipërfaqe rreth 70m², e rrethuar me beton me lartësi rreth 1.7 m dhe e mbuluar me konstruksion hekuri, brenda së cilës ndodhet edhe një gjenerator, pa u pajisur me lejen përkatëse. …Ekzistenca e ndërtimit është dokumentuar nëpërmjet materialeve fotografike të realizuara gjatë kontrollit nga inspektorët e palës së paditur, IMT, Bashkia Tiranë”.

Gjykata saktëson në vendimin e saj se pala paditëse, pra Banka Raiffeisen “nuk kundërshton ekzistencën e ndërtimit në momentin e inspektimit, por pretendon se ai përbën një strukturë të hershme, të vendosur që në vitin 2001, e cila nuk është realizuar prej saj, por është gjetur në gjendjen ekzistuese në momentin e marrjes në përdorim të objektit. Këto pretendime, megjithatë, nuk shoqërohen me asnjë dokumentacion provues që të vërtetojë kohën e ndërtimit apo subjektin që e ka realizuar atë”.

Raiffeisen shndërron  në “telenovelë” të
Në foto: Vendimi i gjykatës që rrëzoi padinë e “Raiffeisen Bank”

Pasi ka shqyrtuar aktet që iu vunë në dispozicion, gjykata thotë se “nga tërësia e akteve dhe provave të administruara në dosje rezulton qartë se ndërhyrja ndërtimore objekt shqyrtimi është realizuar në hapësirë të përbashkët të pallatit, duke krijuar një volum të ri ndërtimor, për të cilin nuk ekziston asnjë leje ndërtimi apo akt miratimi përkatës. Për rrjedhojë, nuk ndodhemi përpara një situate të tejkalimit të kushteve të një lejeje ekzistuese, por përpara një ndërtimi tërësisht të paligjshëm, në kundërshtim të plotë me regjimin ligjor të lejeve ndërtimore”, përmbyllet argumentimi gjyqësor./Boldnews

Poll