
Fshati Vidhishtë i Roskovecit është zhytur në dhimbje pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën një çifti bashkëshortësh.
Banorët janë mbledhur në banesën e familjes për t'u dhënë lamtumirën e fundit dy të ndjerëve, të cilët kujtohen si njerëz të qetë, punëtorë dhe të respektuar nga komuniteti.
Ceremonia mortore për çiftin zhvillohet këtë të shtunë në orën 11:00 në varrezat e fshatit, ku familjarë, të afërm dhe banorë do t'i përcjellin për në banesën e fundit.
Atmosfera në fshat mbetet e rënduar, ndërsa banorët shprehen se ende nuk e kanë kapërcyer tronditjen e shkaktuar nga ngjarja.
Ndërkohë, ceremonia mortore për autorin e dyshuar të krimit është planifikuar të zhvillohet paraditen e së dielës.
Sipas të afërmve, ky vendim është marrë për të shmangur tensionet mes familjeve, të cilat jetojnë në të njëjtën zonë dhe përdorin të njëjtat varreza.
Ngjarja ka lënë gjurmë të thella në komunitetin e Vidhishtit, ku banorët thonë se kjo është një tragjedi që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre./Versus.al


