AKTUALITET /

“Sheshi nuk është pasqyrë për Ramën”, aktivistja: Të anulohet ligji i zonave të mbrojtura, investimet strategjike dhe Paketa e Maleve

Në fjalën e saj para protestuesve, aktivistja tha se tubimi nuk përfaqëson bindje apo përkatësi politike, por sipas saj është një reagim qytetar ndaj mënyrës së qeverisjes.

Shkruar nga Versus

“Sheshi nuk është pasqyrë për Ramën”,

Protesta para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 55-të, ndërsa aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur kërkesat e protestuesve, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë qeverisë.

Në fjalën e saj para protestuesve, Vatnikaj tha se tubimi nuk përfaqëson bindje apo përkatësi politike, por sipas saj është një reagim qytetar ndaj mënyrës së qeverisjes.

“Jemi në ditën e 55-të të protestës më të bukur që ka parë Tirana, Shqipëria dhe gjithë shoqëria. Në respekt të diversitetit, ne nuk përfaqësojmë bindjet dhe prejardhjet tona. Jemi vetëm shqiptarë të mllefosur ndaj një regjimi që na ka varfëruar dhe na ka shkelur”, u shpreh ajo.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Rama për protestën, aktivistja tha se “sheshi nuk është pasqyrë për Ramën”, por një pasqyrë e shoqërisë shqiptare.

“Rama aktori një orë, sheshi nuk është pasqyra ku ai duhet të shohë veten. Ky shesh është pasqyra e shoqërisë shqiptare, e cila pa se nuk është e gjitha hajdute dhe kriminele”, deklaroi Vatnikaj.

Ajo renditi pesë kërkesat e protestuesve, ku ndër të tjera kërkohet anulimi i ligjit për zonat e mbrojtura, shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë dhe heqja dorë nga Paketa e Maleve.

Sipas saj, qeveria nuk ka bërë përafrimin e plotë të legjislacionit me standardet europiane dhe kërkoi anulimin e ligjeve që, sipas saj, dëmtojnë interesin publik.

“Rama gënjeu kur tha se ka arritur përafrimin e legjislacionit europian. Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Gënjeu edhe kur tha se Paketa e Maleve do të jetë shpëtim për ata që jetojnë atje”, tha aktivistja.

Vatnikaj kritikoi edhe ligjin për investitorët strategjikë, duke deklaruar se ky mekanizëm po përdoret për t’u dhënë përparësi personave të lidhur me pushtetin.

“Për 55 ditë kemi kërkuar shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë që i bën kllounët e oborrit investitorë që na marrin malet dhe detin”, u shpreh ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, aktivistja tha se protestuesit do të vijojnë kërkesën për krijimin e një qeverie teknike që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve, të cilat sipas saj duhet të jenë të lira dhe të pandikuara nga krimi dhe oligarkia.

“Kërkojmë një qeveri të re me një kontratë të re, ku shteti të mos jetë në dorën e oligarkisë, por të qytetarëve”, përfundoi Vatnikaj./Versus.al

Poll