AKTUALITET /

Stuhia godet vendin, breshër në Elbasan e Korçë, rrufeja vret bagëtitë në Pogradec

Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, në qytet janë regjistruar rreth 40 milimetra reshje shiu dhe breshëri brenda 38 minutash

Shkruar nga Versus

Stuhia godet vendin, breshër në Elbasan e Korçë, rrufeja

Një stuhi e fortë ka përfshirë disa zona të vendit gjatë së premtes, duke sjellë reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta, duke shkaktuar probleme të përkohshme në disa qytete.

Në Elbasan, reshjet e dendura të shiut dhe breshërit zgjatën rreth 40 minuta, duke krijuar një shtresë të bardhë në rrugë dhe duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.

Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, në qytet janë regjistruar rreth 40 milimetra reshje shiu dhe breshëri brenda 38 minutash. Disa ambiente nëntokësore janë përfshirë nga uji, ndërsa ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për menaxhimin e situatës. Po ashtu, disa pemë janë rrëzuar nga era, por pa shkaktuar dëme.

Moti i keq ka prekur edhe zonat përreth Elbasanit, si dhe bashkitë Librazhd dhe Përrenjas, ku janë raportuar reshje të forta dhe stuhi me intensitet të lartë.

Edhe Korça dhe rrethinat janë përfshirë nga reshje të dendura breshëri dhe erëra të forta. Fenomeni ka zgjatur pak minuta, por ka lënë pas dëme të vogla. Në qytetin e Korçës një pemë është rrëzuar duke bllokuar një pjesë të trotuarit, pa shkaktuar të lënduar.

Ndërkohë, një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Derdush të Pogradecit, ku një tufë bagëtish është goditur nga rrufeja. Sipas informacioneve paraprake, kanë ngordhur rreth 10 krerë bagëti të imta, ndërsa 17 të tjera kanë mbetur të plagosura.

Tufa, e përbërë nga rreth 190 dele dhe dhi në pronësi të shtetases Tatjana Biçoku, ishte duke lëvizur nga zona e Pirgut drejt kullotave malore kur u godit nga shkarkesa atmosferike.

Pas përfundimit të stuhisë, ekipet në terren kanë nisur verifikimin e dëmeve të shkaktuara, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike.

Poll