
Shqipëria po shihet si një vend me potencial për punëtorët indianë, sipas ambasadorit të Indisë në Tiranë, Ravindra Prasad Jaiswal, i cili ka deklaruar se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më tërheqës për krahun e punës nga India.
Ai bëri të ditur se aktualisht në Shqipëri janë rreth 1,200 shtetas indianë të punësuar dhe theksoi se po punohet me qeverinë shqiptare për një marrëveshje partneriteti që synon të sigurojë një emigrim të rregullt dhe të organizuar të punëtorëve.
Sipas ambasadorit, punëtorët indianë janë të kualifikuar, të disiplinuar dhe përshtaten lehtësisht me mjedisin lokal, duke i bërë ata një aset të vlefshëm për tregun e punës në Shqipëri.
"India është një fuqi e madhe e punëtorëve të kualifikuar dhe një numër i madh indianësh punojnë në të gjitha pjesët e botës, sidomos në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Bashkimin Evropian dhe SHBA. Por në Shqipëri numrat janë shumë të ulët. Siç më është thënë, vitin e kaluar janë dhënë rreth 1,200 viza për punëtorë indianë. Pra jemi në drejtimin e duhur, po ecim përpara, numrat po rriten dhe shpresoj që shumë më tepër do të vijnë në Shqipëri. Po punojmë për një marrëveshje partneriteti me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të kemi një emigrim të rregullt ose ardhje të rregullt të njerëzve nga India. Dhe siç e dini, indianët janë shumë miqësorë, shumë punëtorë dhe përshtaten shumë mirë me mjedisin lokal. Kështu që shpresoj që ata do të gjejnë një vend të mirë për të punuar këtu dhe punëdhënësit shqiptarë do t’i konsiderojnë punëtorë shumë të mirë" shprehet ambasadori i Indisë.
Ai shtoi gjithashtu se interesi për Shqipërinë nuk lidhet vetëm me punësimin, por edhe me turizmin. Sipas të dhënave të përmendura prej tij, vitin e kaluar rreth 30,000–35,000 shtetas indianë kanë vizituar vendin tonë, ndërsa këtë vit shifrat janë në rritje të ndjeshme.
Ambasadori: Nga raportimet, kemi parë se në vitin 2024, që kur u vendos regjimi pa viza, njerëzit kanë ardhur gjithnjë e më shumë në Shqipëri, sidomos indianët që jetojnë në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA. Ata po vijnë në numër të madh, vitin e kaluar rreth 30,000 deri në 35,000 persona nga India dhe indianë nga vende të tjera kanë qenë këtu. Kështu, në katër muajt e parë të vitit numri i indianëve që vizitojnë Shqipërinë pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin 2024. Kështu që unë shoh një perspektivë të mirë për ardhjen e indianëve në Shqipëri dhe shpresoj që shumë më tepër do të vijnë këtë vit dhe në vitet në vazhdim.
Në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Indisë, pritet organizimi i aktiviteteve kulturore, ekspozitave kushtuar Nënë Terezës dhe eventeve promovuese të kulturës indiane në Shqipëri./Versus.al

