Shumë institucione publike ndër muaj e vite, bënë fiks dy sy qorr dhe veshët e shurdhër përballë një zaptimi të hapësirës publike. Zaptuesi nuk ishte një i fortë apo lac rrugësh, as më shumë e as më pak ishte selia qendrore e Raiffeisen Bank Albania.
Në pjesën e pasme që lidh Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit, në një lagje autoktone tiranase e në mes të kryeqytetit, Raiffeisen Bank e ktheu hapësirën publike dhe trotuarin në një strehë për kondicionerët e zyrave. Kjo situatë në plot 70 m2, sipas IMT, është ndërtuar pa leje, e pikërisht nga një institucion që ligjin dhe lejen do duhet t’i ketë të shenjta. Pra, BANKA.

I vetmi institucion që guxoi të përballej pa u joshur, edhe pse Raiffeisen Bank ka shumë para, ishte Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit Tiranë.
Ky institucion, në përgjigje të ankesave të banorëve, konstatoi zaptimin dhe ndërtimin e paligjshëm nga Raiffeisen Bank, e gjobiti dhe i kërkoi largim të menjëhershëm dhe kthim të trotuarit në shërbim të publikut.

Por banka, nga ana e saj, e refuzoi këtë vendim, duke trokitur në gjykatë. Pak javë më parë, gjykata i ka dhënë të drejtë IMT-së, duke detyruar Raiffeisen të paguajë gjobën e vendosur nga IMT. Ajo që mbetet shumë e habitshme është se si këtë situatë nuk e panë satelitët Albania 1 dhe 2, si dhe Policia e Shtetit, Policia Bashkiake e shumë institucione publike, duke toleruar thuajse një geto me hekura, gjenerator dhe kondicionerë që ua nxinë jetën banorëve.
Vendimi ku IMT ka fituar ndaj Raiffeisen BANK
Më 5 shkurt 2026, gjykata ka vendosur që Raiffeisen Bank të paguajë gjobën e vendosur nga IMT, si dhe interesat si kamatëvonesë, duke e çuar në afro 6 mijë euro faturën për bankën. Mbetet për t’u parë nëse banka ka reaguar apo do të reagojë edhe për heqjen e ndërtimit pa leje.
DOKUMENTI 1
BASHKIA TIRANË
INSPEKTORATI I MBROJTJES SË TERRITORIT – NJËSIA 10
Seria Nr: 0008170
Proces Verbal Nr: 8170
Datë: 20.10.2025
Për: Konstatimin e kundërvajtjes
Bazuar në Ligjin Nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, i ndryshuar, si dhe ligje të tjera në fuqi, inspektorët ushtruan kontroll në subjektin:
Subjekti: Raiffeisen Bank
Adresa: Rruga e Kavajës, Tiranë
KONSTATUAN:
Shtesë me sipërfaqe rreth 70 m², e ndërtuar në terren ekzistues.
E mbuluar me konstruksion alumini + gjenerator brenda.
Punime të kryera pa leje nga organet përkatëse.
Referuar ankesës me portalin “Hapësira Ime Publike” (me nr. reference 2025/019-…).
Kërkohet:
Të paraqitet dokumentacioni tekniko-ligjor pranë IMT brenda afateve ligjore në fuqi.
Inspektorët:
(E. Brah… / J. Batrak…)
DOKUMENTI 2
BASHKIA TIRANË
INSPEKTORATI I MBROJTJES SË TERRITORIT – NJËSIA 10
Seria Nr: 0007310
Vendim Nr: 7310
Datë: 29.10.2025
Për: Dënimin me gjobë
Në bazë të procesverbalit nr. 8170, datë 20.10.2025, pas kontrollit në subjektin:
Subjekti: Raiffeisen Bank
Adresa: Rruga e Kavajës, Tiranë
Është konstatuar kundërvajtja administrative:
Ndërtim me sipërfaqe rreth 70 m², i mbuluar me konstruksion alumini dhe vendosje gjeneratori, pa leje ndërtimi.
Bazuar në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe Ligjin nr. 10 279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.
VENDOSA:
Dënimin e kundërvajtësit Raiffeisen Bank me gjobë në masën:
93,200 (nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind) lekë të reja.
Gjobë që duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
Vendimi mund të ankimohet në gjykatë brenda 10 ditëve.
Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e tij.
Kryeinspektori
(Firmë dhe vulë)/ Weblajm

