
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pasi SPAK kërkoi në Gjykatën e Posaçme rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura prej tij në procesin gjyqësor për dosjen e sterilizimit.
Beqaj deklaroi se organi i akuzës nuk ka rrëzuar pretendimet e tij, por sipas tij ka pranuar se gjatë hetimeve janë evidentuar shkelje procedurale.
“SPAK konfirmoi shkelje të rregullave procedurale gjatë hetimeve. Të drejtat e të pandehurit nuk varen nga vullneti i prokurorit. Reforma solli pavarësi, por në praktikë edhe anarki procedurale”, u shpreh ai.
Më herët gjatë seancës, prokurori i SPAK, Edvin Kondili, kërkoi që Gjykata të rrëzojë të 23 kërkesat e Beqajt, duke i cilësuar ato të pambështetura në ligj.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, shumica e pretendimeve të ish-ministrit janë shqyrtuar më herët gjatë fazës së hetimeve, në seancën paraprake dhe në vendimin e gjykatës për kalimin e çështjes në gjykim.
SPAK kundërshtoi edhe kërkesën për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës, duke argumentuar se veprimet procedurale janë miratuar nga gjyqtari paraprak. Po ashtu, organi i akuzës vlerësoi se pretendimet për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” nuk përmbajnë kërkesa konkrete, ndërsa çështjet e ngritura do të trajtohen në konkluzionet përfundimtare.
Prokuroria mbrojti gjithashtu vlefshmërinë e provave elektronike të sekuestruara, duke theksuar se ato janë siguruar në përputhje me ligjin.
Lidhur me kontratën origjinale të prokurimit, SPAK sqaroi se dokumenti nuk është gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, çka përbën shkelje administrative, ndërsa një kopje e njësuar është administruar pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor./Versus.al

