
Gazetari Osman Stafa ka depozituar një kallëzim në Policinë e Elbasanit, duke pretenduar se është ndjekur dhe kanosur pas një videoje që kishte realizuar për nxjerrjen e materialeve inerte nga lumi Shkumbin.
Sipas deklarimit të tij, një fuoristradë e zezë me xhama të zinj dhe me targë AB489YZ e ka ndjekur për rreth 1 kilometër, duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë dhe duke tentuar ta detyronte të ndalonte.
Stafa ka deklaruar se gjithçka ka nisur pasi ai kishte filmuar një eskavator që nxirrte inerte nga lumi Shkumbin. Pas regjistrimit të pamjeve, gazetari është larguar me automjetin e tij në drejtim të Elbasanit.
Sipas kallëzimit, pak pasi është futur në rrugë, një fuoristradë i është afruar nga pas dhe i ka bërë shenja me drita për të ndaluar. Më pas, automjeti i është afruar nga krahu i majtë dhe i ka prerë rrugën.
“Makina më vihet mbrapa dhunshëm, duke ma bërë me drita që unë të ndaloja. Vijoj rrugën. Makina më del në krahun e majtë timin, duke m’u afruar shumë me makinën time. Pas këtij momenti makina më del përpara duke më prerë rrugën”, ka deklaruar Stafa në polici.
Gazetari ka thënë se ka arritur të shmangë përplasjen duke bërë manovra me automjetin e tij dhe ka vijuar rrugën, ndërsa sipas tij ndjekja ka zgjatur rreth 1 kilometër.
Policia e Elbasanit ka nisur verifikimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e personave që ndodheshin në automjet dhe sqarimin e rrethanave të plota të rastit./Versus.al

