
Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e kësaj të premteje qytetin e Sarandës. Objektiv i sulmit ka qenë Thimjo (Andrea) Rubati, i cili ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit, ku dy persona të maskuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Rubatit.
Pas të shtënave, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë, duke humbur gjurmët në drejtim të paditur.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku po merr trajtim mjekësor. Nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore.
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie kanë mbërritur në zonë dhe kanë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Burime bëjnë me dije se Thimjo Rubati është një person me precedentë penalë, i njohur nga autoritetet për vepra që lidhen me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm, kontrabandën, armëmbajtjen pa leje dhe trafikimin e mjeteve motorike.
Po ashtu ka dy identitete pasi njihet edhe si Sandri Rubati. Emri i tij nuk është i panjohur për policinë pasi në vitin 2002 është arrestuar për trafikim minorenësh ndërsa në vitin 2012 për rrëmbimin e një 16-vjeçareje.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të atentatit, përcaktimin e motivit dhe identifikimin e personave të përfshirë në sulm./Versus.al

