AKTUALITET /

SPAK merr në dorë aplikacionin “Matrix”, ç'do ndodhë me botën e krimit në Shqipëri?

Aplikacioni “Matrix” është përdorur për komunikime të koduara mes anëtarëve të grupeve kriminale, ku sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, janë porositur edhe vrasje me pagesë. Dumani përmendi emra si Suel Çela dhe ka rrëfyer se përmes “Matrix” mori porosi për të eliminuar pronarin e një shkolle private në Tiranë për një shumë prej 150 mijë eurosh

Shkruar nga Versus

 

SPAK merr në dorë aplikacionin “Matrix”, ç'do

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar nisjen e bashkëpunimit me autoritetet holandeze për të marrë dhe analizuar të dhënat e përftuara nga zbërthimi i aplikacionit të koduar “Matrix”. Ky zhvillim vjen pas një operacioni të madh të Europol në fund të vitit të kaluar, ku u sekuestruan serverët e platformës, e cila përdorej gjerësisht nga grupe kriminale dhe konsiderohej si një version më i sofistikuar i “SkyECC”.

Aplikacioni “Matrix” është përdorur për komunikime të koduara mes anëtarëve të grupeve kriminale, ku sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, janë porositur edhe vrasje me pagesë. Dumani përmendi emra si Suel Çela dhe ka rrëfyer se përmes “Matrix” mori porosi për të eliminuar pronarin e një shkolle private në Tiranë për një shumë prej 150 mijë eurosh. Ai shtoi se për këtë atentat i kërkoi 200 mijë euro, ndërsa kishte marrë foto të objektivit, banesës dhe familjarëve të tij.

Zbërthimi i “Matrix” mund të sjellë një tërmet më të madh se ai që shkaktoi “Sky ECC”, për shkak se ky i fundit mbulonte vetëm komunikimet deri në vitin 2021. Pas mbylljes së “Sky ECC”, shumë grupe kriminale kaluan në “Matrix”, i cili ka qenë aktiv deri kohët e fundit. Kjo do të thotë se komunikimet e periudhës 2022–2024 – përfshirë atentate, trafiqe dhe plane kriminale – janë ruajtur dhe tashmë po analizohen.

Pritet që nga këto të dhëna të zbardhen edhe ngjarje të bujshme të viteve të fundit, si vrasja e Brilant Martinajt, zhdukja e Vis Martinajt dhe fati i panjohur i Talo Çelës. Burime pranë hetimeve sinjalizojnë se në komunikimet e “Matrix” mund të përfshihen edhe emra nga politika, drejtësia dhe policia.

Zbërthimi i këtij aplikacioni, falë operacionit të përbashkët të Europol dhe autoriteteve holandeze, mund të jetë një ndër goditjet më të forta ndaj krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me segmente të pushtetit në Shqipëri. /Versus.al

Tags:

matrix spak

Poll