
Policia ka shoqëruar në polici disa persona në Dibër, Tropojë dhe Tiranë lidhur me veprimet hetimore për zbardhjen e vrasjes së 23 vjeçarit Renis Dobra i cili u gjet i pajetë në liqenin e Shkopetit në Mat, mëngjesin e 9 korrikut.
Mes të shoqëruarve janë edhe dy prej autorëve të vrasjes, të cilët janë identifikuar si Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka. Ndërsa në kërkim janë shpallur edhe dy persona të tjerë të afërm të autorëve të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë.
Ata raportohet se kanë lëvizur me automjete tip “Range Rover” dhe “Hunday” më 8 korrik ditën kur rrëmbyen të riun Dobra. 23 vjeçari u raportua i zhdukur nga prindërit e tij po në të njëjtën ditë. Ndërsa mëngjesin e 9 korrikut pas disa orëve kërkimesh, u gjet i pajetë në liqenin e Shkopetit rreth 10 metra nga bregu. Më tej u gjet edhe automjeti i tij.
Fillimisht familjarët e tij kishin dyshuar se 23 vjeçari duke qenë person i ndaluar më parë, ishte shoqëruar për në komisariat, por pasi u informuan se nuk ishte aty, nisën kërkimet për gjetjen e Dobrës. Në fytin e të riut u konstatuan shenja që ngrinin dyshime se ai mund të jetë mbytur me litar dhe më pas është hedhur i vdekur në liqen.
Fati tragjik i Renis Dobrës u bë edhe më i qartë pas dëshmisë së dhënë nga njëri prej kushërinjve të tij i cili tha se ditën kur 23 vjeçari u zhduk e kishin ndaluar dy makina pranë shtëpisë së tij. Kushëriri i tij i cili po udhëtonte nga Burreli drejt Zenishtit tha se pasi zbriti nga makina e tij për të parë se për çfarë bëhej fjalë, dy persona të veshur me uniforma policie e kishin urdhëruar të largohej. Menjëherë pas ngjarjes lajmëroi prindërit e të riut të cilët u nisën drejt komisariatit me mendimin se djali i tyre ndodhej aty. Por në fakt, ngjarja nuk rezultoi e tillë dhe dyshohet se personat që kryen krimin, e rrëmbyen të riun teksa ishin të veshur si policë për të shmangur ndërhyrjen e personave të tjerë. Versus.al







