Pasi mbërriti gjysmë ore me vonesë në SPAK për të respektuar masën “detyrim paraqitje”, Sali Berisha doli brenda pak minutash dhe dha deklaratë para mediave.
Mes akuzave për SPAK-un, Berisha lexoi edhe disa përgjime të “Sky Ecc” ku sipas tij shfaqen anëtarë të bandave të Elbasanit duke komunikuar me ministrin Taulant Balla të cilit i kërkojnë arrestimin e kundërshtarëve të tyre.
Më tej, sipas Berishës Balla u ka kërkuar garanci për vota në këmbim të arrestimit të kundërshtarëve të tyre.
“Kjo është kartolina për SPAK-in. Më datë 10.02.2020 'Target', njëri nga banditët e bandës së Elbasanit informon me pin “AM580” se kishin rënë dakord mes tyre që të mos i kërkonin Taos tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord t’i kërkonin Taos. Ky mesazh iu përcoll Taos dhe i dhanë afat deri në dhjetor. I kishin kërkuar arrestimin e kundërshtarëve të tyre. Tao iu përgjigj kësaj: A garantoni se gjithë ata njerëz do votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që doni në burg? Përgjigjia ishte: PO, ne e garantojmë këtë! Më pas Tao tha: Ata do shkojnë në burg këtë vit. Tao është Taulant Balla, kriminel që është njëri nga të shumtat të dhëna që ka në dosjen e vetë. Përgjigjia është: ne garantojmë votat, nëse arreston ata të listës që kemi dhënë për të arrestuar. Në vitin 25 mars 2021, u arrestuan Çapjat me kërkesën e Çelëve. Në mënyrë që Tao të dilte kampion votash në Elbasan. Nga kjo del që Tao përcakton tenderat dhe vendimet e gjykatave. Merr përsipër me listë arrestimet dhe në kundërpërgjigje, Tao merr garanci për votat. Ky është një aspekt i dokumentave të pafundme që kam unë për organizatën kriminale që e quaj SKAP-i i Partisë”- deklaroi Berisha.
Pas deklaratës para gazetarëve, Berisha doli në podiumin e ngritur përballë protestuesve të pranishëm ku lexoi sërish përgjimet ku sipas tij shfaqet ministri Taulant Balla. Në mbyllje të fjalës së tij ai paralajmëroi publikimin e fakteve të tjera lidhur me anëtarë të qeverisë të implikuar në veprimtari kriminale. Versus.al








