
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zhvilloi një takim me strukturat e policisë në Sarandë ku disa ditë më parë u zbulua skandali ku kupola drejtuese e policisë, kihte favorizuar grupet kriminale në ndërtime pa leje.
Hita e cilësoi ngjarjen “të papranueshme” dhe kërkoi rikthimin e besimit të qytetarëve tek policia. Ai tha se çdo efektiv i lidhur me grupet kriminale do të përjashtohet. Ndërsa kërkoi zero tolerancë ndaj grupve kriminale.
“Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndaj kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia. Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të.
Strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjes së shtetasve të kërkuar, trafikut të narkotikëve dhe ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike. Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen. Bashkëpunoni dhe koordinoni veprimet me strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e territorit”- tha Hita duke theksuar më tej se duhet rritur numri i forcave “Shqiponja” për garantimin e sigurisë në shkolla e ambiente publike. Versus.al

