
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka ngritur shqetësimin lidhur me dhunën joproporcionale që Policia e Shtetit përdori gjatë protestës së 2 Korrikut ndaj protestuesve pranë Kuvendit të Shqipërisë.
Në një deklaratë publike, KSHH, thotë se, aktet e izoluara të dhunës nga disa protestues të caktuar të tilla si hedhja e vezëve, apo gurëve nga individë të veçantë, nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë.
“Nga monitormi i KShH rezulton se protesta kishte kryesisht karakter paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një kohë të gjatë. Megjithatë, aktet e dhunshme të kryera nga disa individë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve”, shkruan Komiteti Shqiptar i Helsinkit në reagimin e tij.
Reagimi i KSHH thekson më tej se pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambjentet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi menjëherë.
“Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë tek rrethimi dhe tek shtyrja e protestuesve, apo edhe tek përdorimi i gazit lotsjellës”, thekson KSHH, mbi dhunën e ushtruar nga forcat policore.
Juristët e KSHH shikojnë si tejet shqetësues faktin se policia nuk përdori paralajmërime publike paraprake ndaj protestuesve, por kaloi direkt në përdorimin e dhunës.
“Përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare”, shkruan KShH.
Përdorimi i mjeteve të tilla cilësohen nga KSHH se prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestë, dhe duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale.
Një shqetësim tjetër që vuri në pah KSHH konsiston në përdorimin e forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë, por pavarësisht kësaj policia vijoi përdorimin e shkopinjve të gomës, goditjeve apo grushteve ndaj tyre.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje protestuesve të distancohen nga çdo akt dhune dhe gjithashtu i bën thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve.Versus.al

