
Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në Modena, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në vendin e punës.
Viktima është 52-vjeçari Murat Tafciu, i cili sipas mediave italiane jetonte në zonën e Cavezzo-s. Ai ka rënë nga skela në një kantier ndërtimi, në godinën e ish-Bankës së Italisë, e ndodhur në Corso Canalgrande, në qendrën historike të qytetit.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ambulancës, 52-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Kompania e ndërtimit me seli në Carpi ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës, duke theksuar se po bashkëpunon me autoritetet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
Në vendngjarje mbërriti edhe bashkëshortja e tij, e tronditur nga humbja e rëndë, ndërsa kryebashkiaku i Modenës, Massimo Mezzetti, shprehu publikisht ngushëllimet për familjen dhe kolegët e punëtorit që humbi jetën gjatë punës./ Versus.al

