
Pengmarrja e 39‑vjeçarit nga Kosova, Fisnik Xhaka, në një apartament në Vlorë për më shumë se 14 ditë, po shoqërohet me zhvillime të reja dhe prova të diskutueshme.
Një foto e publikuar së fundi e tregon Xhakën duke drekuar i qetë me tre të rinjtë e arrestuar si autorë të pengmarrjes, ndërsa prokuroria vijon ta trajtojë çështjen si rrëmbim me motiv pazaret e drogës.
Sipas dosjes hetimore, Fisnik Xhaka dyshohet se u mbajt peng për dy javë në një apartament pranë Komisariatit të Policisë në Vlorë, nga tre të rinj të zonës, pasi kishte dalë garant për një sasi droge me vlerë rreth 70 mijë euro që nuk është paguar.
Për të rrëzuar akuzat, pala mbrojtëse e të arrestuarve ka publikuar një foto ku Xhaka shihet në një lokal, duke ngrënë i qetë me personat që akuzohen si pengmarrës.

Sipas mbrojtjes, ky imazh tregon se mes tyre ka patur marrëdhënie miqësore dhe jo raport viktimë‑autor, duke ngritur dyshime mbi versionin zyrtar të pengmarrjes për drogë.
Gjithsesi, organi i akuzës këmbëngul se fotoja nuk mjafton për të zhbërë provat e tjera, ku flitet për mbajtje të paligjshme, presion financiar dhe kërcënime për pagesën e 70 mijë eurove.
Tashmë mbetet që gjykata të vlerësojë peshën e imazhit dhe dëshmive, ndërsa tre të rinjtë përballen me akuzat e rënda për pengmarrje dhe shtrëngim me anë të dhunës.
Apartamenti ku mbahej 39‑vjeçari ishte i pajisur me kamera sigurie, me të cilat monitoroheshin lëvizjet jashtë, ndërsa familjarët pretendojnë se ai është dhunuar dhe kërcënuar për t’u shlyer borxhi.
Në ndihmë të hetimit ka dalë motra e Xhakës, e cila jeton në Suedi dhe ka njoftuar autoritetet ndërkombëtare pasi ka marrë vesh se vëllai i saj mbahej i mbyllur në Vlorë.
Pas sinjalizimit dhe dërgimit të lokacionit, policia shqiptare ka ndërhyrë duke arrestuar tre të rinjtë dhe duke nxjerrë nga apartamenti 39‑vjeçarin, i cili dyshohet se mbahej atje prej më shumë se dy javësh./Versus.al
Pamje nga shtëpia ku mbajt peng shqiptari nga Kosova:
View this post on Instagram

