AKTUALITET /

VIDEO/ Berisha e nis shtatorin në SPAK, paraqitet para prokurorëve! "Besnikët" e presin me duartrokitje

I rrethuar nga mbështetësit e tij të përhershëm, ish-kryeministri shkoi në SPAK për t'u paraqitur para prokurorëve të posaçëm.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Berisha e nis shtatorin në SPAK, paraqitet para prokurorëve!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për zbatimin e masës “detyrim paraqitje”.

Duke qenë se është data 1 e muajit shtator, kryedemokrati e ka të caktuar nga GJKKO si detyrim për t’u paraqitur për aferën “Partizani”. Ashtu si çdo herë, mbështetësit e tij besnikë e kanë pritur me duartrokitje në hyrje të godinës.


Pasi doli nga SPAK, Berisha lexoi para gazetarëve shënimin e lënë për kreun e institucionit, Altin Dumanin. Ndërsa vijoi me akuzat ndaj socialistit Taulant Balla duke thënë e ky i fundit kishte zbatuar porositë e të shumëkërkuarit Suel Çela për të liruar dy kriminelë.

"Ju jeni dëshmitarë se unë kam paraqitur këtu para jush bashkëpunimin e ngushtë të Taulant Ballës me Suel Çelën. Bisedën e tyre të famshme telefonike ku i thotë Suel Çelës se ne po e arrestojmë kundërshtarët e tu dhe ju do jepni votat që ne kërkojmë. Dhe ky pakt u zbatua. Dhe bisedën tjetër ku Suel Çela i thotë Taulant Ballës, se me një... nëmos gabohem Dritan Hallullin, do të shkosh dhe të nxjerrësh nga burgu dy terroristë të vërtetë, të cilët i vunë në shalën e biçikletës tritolin Lulzim Kullës, dhe tritoli ra në tokë dhe shpërtheu në mes të qytetit dhe mund të kishte shumë viktima. Dhe këta të dy, Tao shkoi dhe i liroi bashkë me Hallullin, i cili është diku në KLGJ apo në KLP"- u shpreh Berisha mes të tjerash. 

Kujtojmë se më 19 maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani" për të cilën janë marrë të pandehur kryedemokrati Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ndërtuesi Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe juristja Andia Pustina. Që pas kalimit të dosjes për gjykim, janë zhvilluar dy seanca gjyqësore të cilat janë shtyrë. Versus.al

 

Poll