
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të diel në Kanionin e Gjipesë, ku dy turistë polakë kanë rënë në një greminë, duke bërë të nevojshëm organizimin e një operacioni të gjerë shpëtimi.
Sipas informacioneve paraprake, turistët kanë rënë në greminë gjatë lëvizjes në zonën e kanionit. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë së Himarës, të cilat kanë tentuar t’u vijnë në ndihmë.
Megjithatë, për shkak të terrenit tepër të thyer dhe të vështirë, ndërhyrja fillestare nuk ka rezultuar e suksesshme.
Për të përballuar situatën, në operacion janë angazhuar edhe efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH), alpinistë të specializuar, si dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe evakuimin e dy turistëve.
Burime nga terreni bëjnë me dije se operacioni i shpëtimit vijon të jetë mjaft kompleks për shkak të konfigurimit të zonës dhe vështirësive që paraqet terreni.
Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë ditës për nxjerrjen e turistëve nga gremina, por deri më tani evakuimi i tyre ende nuk është bërë i mundur. Operacioni vijon, ndërsa pritet që autoritetet të japin detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të turistëve dhe ecurinë e ndërhyrjes.Versus.al

