
Marjana Koçeku, ish-anëtarja e PS e cila tanimë është deputete e pavarur në Kuvend ka dhënë një intervistë për median britanike “Britannia Daily” ku foli për arsyet e largimit të saj nga grupi parlamentar i qeverisë.
Ajo tha se vendimi për shkëputjen nga PS erdhi pas zhgënjimit nga mënyra sesi funksiononte pushteti, ndërsa theksoi se protestat e kishin përforcuar bindjen e saj se Shqipëria ka nevojë për një brez të ri drejtuesish. Sipas Koçekut, qeveria aktuale e drejtuar nga Rama nuk është në gjendje të sjellë asnjë prej ndryshimeve që kërkojnë shqiptarët.
"Protestat kanë qenë ndër lëvizjet qytetare më frymëzuese që kam parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë gjatë viteve të fundit. Kur dhjetëra mijëra qytetarë dalin paqësisht për të kërkuar llogaridhënie dhe ndryshim demokratik, përfaqësuesit e zgjedhur kanë detyrimin t'i dëgjojnë."- tha Koçeku.
Përsa i takon situatës brenda PS, ajo rrëfen se ka vërejtur edhe pakënaqësi të tjera brenda grupit të deputetëve, por tha se mungonte guximi për të dalë hapur kundër Ramës.
"Nga bisedat dhe vëzhgimet e mia besoj se ka një shqetësim në rritje brenda establishmentit politik. Jo të gjithë ndihen rehat me drejtimin aktual, edhe pse shumë nuk guxojnë ta thonë publikisht”- u shpreh deputetja ndërsa shtoi se është "vetëm çështje kohe" derisa më shumë politikanë të flasin hapur dhe të veprojnë sipas bindjeve të tyre.
Në fund të intervistës, deputetja e pavarur u drejtoi një mesazh qytetarëve që kanë marrë pjesë në protesta.
"Zërat tuaj kanë rëndësi dhe nuk duhet të besoni kurrë se angazhimi paqësor qytetar është i kotë. Nuk jeni vetëm. Tani keni edhe një mandat në Parlament." Versus.al

