Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas polemikave të ditëve të fundit lidhur me situatën në Banjot Termale të Bënjës në Përmet, duke i cilësuar pretendimet për dëmtimin e zonës si pjesë të një fushate të organizuar dezinformimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje që, sipas tij, janë filmuar mbrëmjen e kaluar në Banjot Termale, ku po zhvillohet një aktivitet social-kulturor i planifikuar prej kohësh. Ai tha se këto pamje tregojnë realitetin e një destinacioni turistik që, sipas tij, është bërë objekt i "histerisë digjitale" dhe sulmeve të organizuara në rrjet.
Rama u shpreh se Banjot Termale të Bënjës janë një shembull i investimeve të realizuara në kuadër të Rilindjes Urbane dhe hodhi poshtë pretendimet për betonizim apo tharje të burimeve ujore, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë foli edhe për ndikimin e rrjeteve sociale në përhapjen e dezinformimit, duke theksuar se informacionet e pavërteta qarkullojnë me shpejtësi falë algoritmeve, duke e bërë më të vështirë dallimin mes fakteve dhe manipulimit.
Në fund të mesazhit, Rama e cilësoi debatin si një përballje mes vizionit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 dhe, sipas tij, forcave që synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të gjykojnë situatën bazuar te faktet dhe realiteti në terren.

