
Protestat masive të qytetarëve të cilët bëjnë thirrje për rrëzimin e klasës së vjetër politike dhe të qeverisë aktuale, hyjnë sot në ditën e 28-të radhazi. Një detaj shumë i rëndësishëm për protestën e sotme është fakti se pritet të jenë të pranishme edhe disa eurodeputetë të Parlamentit Europian.
Deri më tani, eurodeputetja italiane Cristina Guarda e grupit parlamentar “Të Gjelbrit” ka mbërritur në Tiranë ku bën me dije se po takohet me qytetarë të ndryshëm dhe aktivistë për të mësuar më shumë rreth kësaj lëvizje popullore të nisur prej rreth një muaji.
Edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka konfirmuar se do të jetë e pranishme në protestë duke e cilësuar mbrojtjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit si kauza me rëndësi të veçantë.
Organizatorët kanë bërë thirrje për praninë e qytetarëve nga diaspora dhe nga rrethet e vendit për protestën e 28-të ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Versus.al

