
Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur përmes një reagimi në rrjetet sociale se zjarri i rënë në Parkun Arkeologjik të Bylisit është neutralizuar.
Sipas tij, ndërhyrja e shpejtë dhe koordinimi i forcave në terren bënë të mundur shmangien e përhapjes së flakëve dhe një rreziku serioz për zonën e mbrojtur.
Ministri ka vlerësuar angazhimin e ekipeve zjarrfikëse të Mallakastrës dhe Roskovecit, si dhe punonjësit e Albpetrolit, të cilët morën pjesë në operacionin e shuarjes së zjarrit.
"Mirënjohje për efektivët e shërbimeve zjarrfikëse të Mallakastrës, Roskovecit dhe Albpetrolit, për punonjësit e Parkut Arkeologjik Bylis, për Prefekturën Fier, Bashkinë Mallakastër, Ministrinë e Mbrojtjes për mbështetjen ajrore, si dhe për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Emergjencave Civile që kontribuan në mbrojtjen e parkut.
Trashëgimia kulturore është një pasuri kombëtare dhe mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët. Çdo akt i papërgjegjshëm që rrezikon monumentet, natyrën dhe sigurinë e komunitetit duhet të marrë përgjigjen që parashikon ligji. Bylisi u mbrojt falë përkushtimit dhe sakrificës së shumë njerëzve", shkruan ministri Gonxhja.Versus.al

