AKTUALITET /

Zjarri përfshin fushën pranë Parkut Arkeologjik të Bylisit, ndërhyhet me helikopter për shuarjen e flakëve

Sipas informacioneve nga terreni, vatra e zjarrit ka nisur pranë rrugës rurale që lidh fshatrat Hekal dhe Klos, ku fillimisht është përfshirë një sipërfaqe e mbjellë me ullinj

Shkruar nga Versus

Zjarri përfshin fushën pranë  Parkut Arkeologjik të Bylisit,

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë paraditen e kësaj të diele zonën mes fshatit Klos dhe Parkut Arkeologjik të Bylisit, në Bashkinë e Mallakastrës, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe me ullinj, shkurre dhe bimësi të thatë.

Sipas informacioneve nga terreni, vatra e zjarrit ka nisur pranë rrugës rurale që lidh fshatrat Hekal dhe Klos, ku fillimisht është përfshirë një sipërfaqe e mbjellë me ullinj. Më pas, e favorizuar nga era e fortë, zjarri është përhapur me shpejtësi në zona me bimësi të thatë dhe gjineshtër.

Flakët kanë depërtuar edhe në territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku janë djegur shkurre dhe bar i thatë. Fatmirësisht, sipas autoriteteve, monumentet arkeologjike dhe strukturat historike prej guri nuk kanë pësuar dëmtime.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Ballshit, Fierit dhe Patosit, të mbështetura edhe nga banorët e zonës, të cilët kanë ndihmuar në përpjekjet për izolimin e flakëve. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, në zonë është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Autoritetet vijojnë punën për shuarjen e plotë të vatrës, ndërsa ende nuk janë përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.Versus.al

Poll