
Dy pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, në Tiranë, Sefedin Ahmetaj, 63-vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41-vjeçe kanë rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohen se kanë kanosur dhe privuar nga liria një kliente gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Dyshohet se ata e kanë mbajtur klienten kundër dëshirës së saj brenda ambienteve të dyqanit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Gjatë ndërhyrjes së efektivëve për menaxhimin e situatës, dy të dyshuarit kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, ndërsa 41-vjeçarja dyshohet se ka goditur një efektiv gjatë kryerjes së detyrës, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta./Versus.al

