Tensione janë regjistruar edhe këtë mëngjes para godinës së Kryeministrisë, ku efektivët e Policisë kanë larguar qytetarët që kishin kaluar natën në shesh, si pjesë e protestës që vijon prej një jave.
Pas largimit të protestuesve, policia ka mbledhur edhe këpucët e vendosura në shkallët e Kryeministrisë, të cilat ishin lënë si simbol i largimit të të rinjve nga Shqipëria për shkak të mungesës së perspektivës.
Veprimi i efektivëve ka sjellë reagimin e protestuesve, ndërsa në një moment është shënuar një përballje verbale mes një protestueseje dhe punonjësve të Policisë, të cilët kishin krijuar një kordon sigurie përpara godinës.
“Mos i prekni këpucët, kjo është vjedhje e vullnetit popullor. Mos i ngacmoni veprat artistike të vendosura nga populli. Ky është territor publik”, dëgjohet të thotë një prej protestuesve përmes megafonit.
Më pas, policia ka vijuar me sekuestrimin e disa stolave metalikë që përdoren nga protestuesit si barriera sigurie dhe si pjesë e strukturës së improvizuar të tubimit, ku qytetarët shprehnin çdo mbrëmje pakënaqësitë e tyre.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet protesta e 29-të kundër qeverisë. Organizatorët kanë bërë të ditur se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe kanë theksuar se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese.

