
Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në lindje të Francës, ku një avion i përdorur për hedhje me parashutë është rrëzuar në zonën e Tomblaine, pranë qytetit të Nancy, duke lënë pas 11 viktima.
Lajmi është konfirmuar nga prefekti i departamentit Meurthe-et-Moselle, i cili bëri të ditur se askush nga personat që ndodheshin në bord nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas autoriteteve, avioni ishte nisur pak më herët nga aerodromi Nancy-Essey dhe përdorej për aktivitete të hedhjes me parashutë. Ende nuk dihen shkaqet që çuan në rrëzimin e mjetit fluturues.
Forca të shumta zjarrfikëse, ekipe mjekësore dhe policia mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa zona u izolua për t'i hapur rrugë hetimeve.
Autoritetet franceze kanë nisur një hetim për të zbardhur dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë.

