Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur pranë qytetit të Nansit, në Francë, ku një avion turistik është rrëzuar në zonën e Tomblaine, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ndodheshin në bord.
Sipas mediave franceze, në avion udhëtonin 11 persona, mes tyre pesë instruktorë, pesë kursantë dhe piloti me përvojë. Asnjë prej tyre nuk ka arritur t’i mbijetojë përplasjes.
Raportohet se avioni u rrëzua pranë daljes së varrezave të Tomblaine, ndërsa nga përplasja tre persona janë nxjerrë jashtë kabinës së avionit.
Sipas të dhënave paraprake, fluturimi ishte organizuar si një hedhje e parë me parashutë për disa prej pasagjerëve që ndodheshin në bord.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ekipet e emergjencës kanë punuar në vendngjarje për rikuperimin e viktimave dhe sigurimin e zonës./Versus.al

