Ditën e djeshme në një konferencë “emergjente”, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita bëri një deklaratë të pazakontë që ngjalli reagim në të gjithë vendin. Duke iu referuar një “fushate” të nisur në rrjetet sociale nga qytetarët për të bojkotuar bizneset që sipas tyre janë të lidhura me politikën dhe mbështesin qeverinë, Hita njoftoi se policia do të “verifikonte” ato që quhen “bad revieë” (vlerësime të këqija) që klientët u bëjnë bizneseve në ‘google’.
Reagimi i Hitës erdhi pasi biznesmenë si Gjergj Luca, reperi Noizy, dhe njerëz të tjerë publikë me biznese të ndryshme, kishin raportuar se në faqen online të biznesit ishin bërë me mijëra vlerësime negative.
Duke e konsideruar këtë si “sulm të koordinuar”, policia paralajmëroi marrjen e masave të cilat në fakt mbetet për t’u parë se cilat do të jenë sepse në kodin penal shqiptar nuk ka asnjë lloj pike që e dënon një klient që bën publike përshtypjet e tij të këqija për një biznes të caktuar.
Deklarata e Hitës për verifikimin e 10 mijë llogarive u konsiderua gjerësisht si një formë intimidimi ndaj shtetasve që duan të shprehin mendimin e lirë për një shërbim apo biznes të caktuar duke e cilësuar si tejkalim të kompetencave dhe detyrës së tij.
Megjithatë, le të shohim raste të ngjashme që në botë njihen ndryshe si “Cancel culture” ose e thënë ndryshe, “bojkoti masiv ose humbja e mbështetjes ndaj bizneseve apo personave publikë të cilët kanë mbajtur qëndrime që në shoqërinë e gjerë janë të papranueshme”.
Reperi Kanye West në vitin 2022
Këngëtari i njohur ndryshe edhe si “Ye” bëri një sërë deklaratash antisemite në intervista dhe rrjete sociale. Madje shkoi edhe në pikën që të bënte një këngë kushtuar Hitlerit ku gjithashtu bëheshin deklarata antisemite.
Për pasojë, kompani si “Adidas” dhe “Balenciaga” shkëputën bashkëpunimin me të. Llogaritë e tij në disa platforma sociale u pezulluan për një periudhë të caktuar si dhe koncertet e tij në disa vende të zhvilluara të Evropës u anuluan. I vetmi koncert i tij që pritet të mbahet së fundmi është ai i 11 korrikut në Tiranë që ka ngjallur mjaft debate për shumën prej 4.2 mln eurosh që qeveria nxorri nga fondi emergjencave për t’ja dhënë reperit vetëm që koncerti të mos dështonte.
Multimilarderi Elon Musk 2024-2026
Pas përfshirjes së tij më të madhe në politikë dhe mbështetjes për figura e lëvizje të diskutueshme, Musk u përball me reagime të forta nga shumë persona anembanë botës. Për pasojë, pati bojkote dhe protesta kundër prodhimeve të kompanisë Tesla në disa vende, rënie të imazhit në tregje dhe ulje të konsumatorëve. Madje disa prej pronarëve të makinave Tesla treguan sesi nuk do të përdornin më automjetet e tyre si shenjë e distancimit nga Elon Musk.
Aktori Will Smith në vitin 2022
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Will Smith goditi me shuplakë komedianin Chris Rock në skenë. Pas këtij incidenti, ai dha dorëheqjen nga postet që mbante, iu ndalua pjesëmarrja në ceremonitë e Oscars për 10 vite dhe u përball me kritika të shumta, ptrojekte të anuluara dhe rënie të xhiros së bizneseve.
Dhe për ta sqaruar pak më tej nuk gjetëm raportime mbi ndërhyrjen e policisë në asnjë nga vendet e sipërfolura. Çështjet maksimumi mund të kenë përfunduar në gjykatë kur është cilësuar si konkurrencë e pandershme.
Rikthehemi në zhvillimet e Shqipërisë. Përgjatë ditëve të fundit, persona të njohur publikë të cilët zotërojnë biznese kanë qenë në qendër të kritikave të shumë të rinjve të cilët protestojnë kundër qeverisë. Mes tyre ka qenë edhe reperi Noizy ndaj të cilit ka ankesa për qëndrimet e tij pro qeverisë. Në vlerësimet negative të dhëna në bizneset e këtij të fundit shkruhet më së shumti se “pronari është i pasjellshëm pasi ka ofenduar të gjithë shqiptarër” duke kujtuar kështu reagimin e ashpër të këngëtarit pasi shumë persona i kërkonin llogari për mungesën e mbështetjes të protestuesve.
Ndërsa në biznesin e Gjergj Lucës mes vlerësimeve negative vlen të theksohet ai ku shumë prej klientëve theksojnë faktin se biznesmeni tallet me shqiptarët që protestojnë dhe publikoi në rrjetet e tij fëmijë nën moshë teksa punonin në ndërtim.
Në këtë kuadër, paralajmërimet e policisë për verifikimet e komentuesve mund të konsiderohen “të tepruara” duke qenë se shembuj të tillë të “kulturës së anulimit” ekzistojnë në gjithë botën. Dhe në situata ta tilla pronarët e bizneseve duhet gjithmonë ta kenë parasysh faktin se baza e marketingut është që biznesi të mos përfshihet në çështje politike, me ndjeshmëri të lartë publike apo ideologji fetare. Dhe për mbyllje, së bashku me një koment me 1 yll vlerësim për ndërhyrjet e policisë në këtë çështje, biznesi dhe fytyra e Shqipërisë nuk përfaqësohet nga biznese në numër me më pak se gishtat e një dore. Versus.al


